Stinori pranveror në Ligën Unike fillon me sfida interesante
Në mesjavë fillon stinori pranveror në Ligën Unike të Femrave, me sfida mjaft interesante.
Flamurtari që nuk pësoi asnjë humbje në stinorin vjeshtor, do të përballet me Bashkimin, që është përforcuar dhe ka ambicie mjaft të mëdha në këtë edicion. Vashat prizrenase kanë dy fitore e tri humbje. Në xhiron e parë, skuadra vlonjate kishte fituar 82:70.
Të martën do të zhvillohet përballja mes skuadrave kryeqytetase, Prishtina dhe Tirana. Skuadra prishtinase ka dy fitore e tri humbje, ndërsa ajo tiranase një fitore e katër humbje. Në sfidën e parë të zhvilluar në mes këtyre dy skuadrave, Tirana kishte fituar 93:88.
Sfida e fundit e kësaj jave është ndërmjet Partizanit dhe Penzës. Skuadra nga Tirana ka tri fitore e dy humbje, ndërsa ajo pejane ka dy fitore e tri humbje. Në përballjen e parë të zhvilluar në fillim të kampionatit, Partizani kishte fituar në Pejë 61:71.
Liga Unike e Femrave-Java 6
E martë
17:00 Bashkimi-Flamurtari
19:00 Prishtina-Tirana
E mërkurë
17:00 Partizani-Penza