Stjernvall: Rinia e Kosovës ka një potencial të veçantë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka pritur të martën në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën ka diskutuar rreth angazhimeve të kësaj ministrie dhe bashkëpunimin që MRKS-ja ka pasur me Ambasadën e Finlandës në Kosovë.
Theks i veçantë, gjatë këtij takimi, i është kushtuar koordinimit të përbashkët për fushën e Rinisë.
Me këtë rast, Gashi ka falënderuar ambasadoren finlandeze dhe nëpërmjet saj qeverinë dhe popullin e Finlandës për ndihmën dhe mbështetjen që kanë dhënë për shtetin e Kosovës.
Më tutje, ministri Gashi e ka informuar ambasadoren se MKRS-ja është duke e finalizuar Strategjinë e re për rininë, përmes të cilit i kushtohet vëmendje e posaçme këtij grupi të madh shoqëror, duke e pasur parasysh faktin që pjesa më e madhe e shoqërisë tonë janë të rinjtë.
“Për herë të parë në këtë strategji do të përfshihet Fondi për rini dhe në kuadër të këtij fondi mund të kemi bashkëpunim të ngushtë me ambasadën sepse parashihen disa programe për të rinj, siç janë shkëmbimet rinore dhe përvojat e tyre mes shteteve të ndryshme. Në kuadër të strategjisë kemi përfshirë edhe komponentin e luftës kundër ekstremizmit”, ka thënë Gashi.
Po ashtu, ministri Gashi e ka njoftuar ambasadoren finlandeze Stjernvall, se MKRS-ja mbështet të rinjtë në projekte të ndryshme përmes subvencionimit direkt, ndër ta, ndërmarrësit e rinj si dhe projektet e ndryshme inovative. “Gjithashtu për herë të parë në Kosovë do të fillojë projekti i ndërtimit të Qendrës mutlifunksionale për rini, i cili është një model nga ShBA-ja”, është shprehur Gashi.
Ndërsa, ambasadorja Pia Stjernvall, ka vlerësuar se rinia e Kosovës ka një potencial të veçantë.
Edhe ajo e ka njoftuar ministrin Gashi se në Finlandë kur hartojnë dokumente të ndryshme strategjike, fokus primar i kushtojnë rinisë, e më pas marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit e stabilitetit rajonal.
“Ne si ambasadë kemi kapacitet që të krijojmë lidhje mes rinisë së Finlandës dhe rinisë së Kosovës. Kemi pasur vizita nga Finlanda në Universitetin e Prishtinës dhe në UBT. Ende nuk e kemi të qartë cilat projekte do t’i realizojmë bashkërisht mirëpo jemi këtu që të diskutojmë rreth një bashkëpunimi më konkret. Ne në ambasadë do të ftojmë të rinj që të bashkëbisedojmë për gjërat që janë në interes dhe në prioritetin e tyre”, ka deklaruar ambasadorja Stjernvall.
/Epoka e re/