Stoltenberg: Është arritur pak zhvillim për çështjen e paqeruajtësve në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ka parë pak zhvillim në bisedimet rreth një misioni paqeruajtës të OKB-së në lindje të Ukrainës.
Stoltenberg i ka bërë këto komente në një tryezë të rrumbullakët, pas takimeve që ka pasur me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në margjina të Konferencës për Siguri në Mynih.
“Vazhdon të duket e pamundshme”, ka thënë Stoltenberg lidhur me propozimin për të krijuar një force paqeruajtëse në kuadër të OKB-së, për t’i dhënë fund luftimeve në mes të separatistëve pro-rusë dhe forcave të Kievit në lindje të Ukrainës.
Diskutimet për këtë propozim janë rritur në shtator të vitit të kaluar, pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka propozuar krijimin e një misioni të tillë së bashku me një linjë që ndan ushtrinë ukrainase me separatistët.
Mirëpo Ukraina dhe Perëndimi shqetësohen se vendosja e një force paqeruajtëse në vijën e frontit, në vend të zonës së kufirit Rusi-Ukrainë do të shtonte kontrollin e Moskës në hapësirat e mbajtura nga separatistët dhe në këtë mënyrë ushtarët dhe armët ruse do të vazhdonin të qarkullonin në Ukrainë.
Stoltenberg, i cili e ka përshkruar takimin e tij me Lavrovin në Mynih si “të dobishëm”, ka thënë se “është shumë herët të flasë”, për ndonjë arritje të marrëveshjes për çështjen e paqeruajtësve në Ukrainë.