Stoltenberg frenon Macron: Asnjë nismë kundër marrëdhënieve transatlantike
Pas ngurrimit të Berlinit zyrtar, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk ka nxituar ta përshëndesë nismën e presidentit francez Emanuel Macron për një ushtri evropiane.
Shefi i aleancës më të madhe ushtarake të globit ka paralajmëruar ndaj dëmtimit të marrëdhënieve transatlantike, duke qenë se më herët pati një lloj përplasjeje mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij francez Emmanuel Macron.
Të premten, përmes një postimi në “Twitter”, shefi i Shtëpisë së Bardhë e bëri të qartë se e konsideronte “fyese” thirrjen e kreut të Elizesë për një ushtri të vërtetë evropiane, me argumentin se siguria e Evropës nuk mund të varet nga Shtetet e Bashkuara.
Pa bërë referime specifike, Stoltenberg ka deklaruar se i mbështet përpjekjet e mbrojtjes evropiane, për sa kohë ato mund të shërbejnë për të forcuar NATO-n.
“Por nuk i përkrah ato ide që dublojnë aktivitetin e aleancës”, ishte komenti i tij. Përpos kësaj, sipas numrit një të NATO-s, nuk duhen rrezikuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. “Dy Luftërat Botërore dhe Lufta e Ftohtë na kanë mësuar se, sa i rëndësishëm është bashkëpunimi”, është shprehur ai në një forum në Berlin.
Trump i ka kritikuar vazhdimisht anëtarët evropianë të NATO-s, si Gjermaninë, për mosarritjen e objektivave të shpenzimeve, të vendosura nga aleanca./tch/