Stoltenberg: NATO qëndron pranë Turqisë në luftën kundër terrorizmit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist në Ankara, ku mbetën të plagosur dy policë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në X, Stoltenberg, dënoi ashpër sulmin dhe i uroi shërim të shpejtë policëve. Sipas tij, NATO qëndron pranë Turqisë në luftën kundër terrorizmit
“Dënoj ashpër sulmin e sotëm terrorist në ministrinë e Brendshme në Ankara, dhe i uroj shërim të shpejtë policëve të lënduar në krye të detyrës. NATO qëndron pranë Turqisë në luftën kundër terrorizmit”, ka shkruar Stoltenberg.
Kujtojmë që një sulmues hodhi veten në erë me një mjet shpërthyes në zemër të kryeqytetit turk, Ankara, të dielën, disa orë përpara se parlamenti të rihapte punimet pas pushimit veror. Po ashtu një sulmues i dytë u neutralizua në një shkëmbim zjarri me policinë.