Stoltenberg në Beograd: Ushtria e Serbisë në kufirin e Kosovës s’e ndihmon situatën
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të martën në Beograd, ka thënë se ngritja e gatishmërisë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit të Kosovës nuk i shërben përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe zbutjen e tensioneve.
Stoltenberg ka thënë se mirëpresin propozimin e fundit të Bashkimit Evropian (BE) për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke e konsideruar hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Ai ka komentuar sulmin e protestuesve serbë ndaj ushtarëve të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.
“Në muajin maj, trupat e KFOR-it u sulmuan, janë plagosur 93 prej tyre. Ata kanë marrë lëndime që ua kanë ndryshuar jetën. Në shtator, ne kemi parë një shpërthim të dhunshëm në Kosovë. Kjo është e papranueshme. Faktet duhet vërtetuar. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. E mirëpres që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë”, ka thënë Stoltenberg.