Stoltenberg në Shkup, në mbështetje të referendumit për emrin
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po qëndron për vizitë në Maqedoni, ku në takimet me drejtuesit e institucioneve pritet të diskutojë për procesin e referendumit të 30 shtatorit, në të cilin duhet të vendoset për marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.
Kjo marrëveshje, që është arritur më 17 qershor, vlerësohet si vendimtare për procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Ajo është ratifikuar në Kuvend, por duhet të marrë mbështetjen edhe në referendum, ndërsa më pas nevojiten edhe ndryshime kushtetuese.
Kreu i NATO-s, takimet në Shkup i nisi me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili njihet si kundërshtar i marrëveshjes për emrin, me arsyetimin se ajo “e rrënon identitetin maqedonas”.
Stoltenberg do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev, liderin e VMRO-së opozitare, Hristijan Mickovski, si dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera.
Ai do të qëndrojë edhe në një fshat të Shkupit për të përcjellë mesazhet se Maqedonia tani e ka shansin për mbylljen e problemeve shumëvjeçare dhe hapjen e rrugës për proceset euroatlantike.
Mesazhe të tilla, kreu i NATO-s ka përcjellë edhe gjatë vizitës në Shkup në janar të këtij viti.
Pas vizitës së kreut të NATO-s, të premten në Maqedoni do të arrijë për vizitë edhe kancelari austiak, Sebastian Kurz, ndërsa të shtunën, kancelarja gjermane, Angela Merkel, vizita e së cilës konsiderohet si historike. (Rel)