Stoltenberg pas takimit me Osmanin: Është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se për aleancën veri-atlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë në veri të Kosovës.
“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre”.
Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Bruksel bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR në veri të Kosovës, më muaj më parë, ka qenë e papranueshme.
Sipas tij, stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët.
Ai e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve të Kosovës për zvogëlim të prezencës policore në veri dhe planet për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit.
“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negocimin me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave policore të Kosovës që mund të ketë ndikim në siguri”.
Ai e ka përmendur që pas trazirave të fundit në veri, NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën nga afër dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse kërkohet për ta përmbushur mandatin e Kombeve të Bashkuara, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova dhe rajoni i Ballkanit po rrezikojnë të bëhen pika të trazirave për shkak të ndikimit malinj rus dhe agjendave destabilizuese të saj.
“Kosova po përjeton ndërhyrje të vazhdueshme prej jashtë dhe pengesë konstante të autoritetit të saj legjitim dhe sovranitetit në pjesën veriore të vendit tonë. Kjo në shumë raste ka përbërë agresion, siç përcaktohet në ligjin dhe praktikat ndërkombëtare. Më lejoni të jem e qartë: pjesa veriore ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës”.
Edhe Osmani e ka dënuar dhunën ndaj zyrtarëve të KFOR-it në veri, duke thënë se nëse përgjegjësit e këtyre ngjarjeve nuk do të ndëshkohen, “ka rrezik që keqbërësit ta shohin këtë si dobësinë tonë të përbashkët”, duke shtuar se ata mund t’i përsërisin aktet e dhunës.
Sipas saj, ngjarjet e 29 majit përbëjnë “sulm ndaj NATO-s”, dhe ka thënë se Kosova ka gatishmëri të bashkëpunojë që keqbërësit të sillen para drejtësisë.
Që kur u rritën tensionet në fund të majit në veri të Kosovës, NATO vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve në rajon që të përmbahen nga veprimet që do të rrisnin edhe më shumë tensionet dhe të bëjnë hapa për qetësimin e situatës. Aleanca po ashtu ka përsëritur se mbetet e përkushtuar që përmes KFOR-it të sigurojë qetësi dhe siguri për të gjithë në Kosovë.
Kosova, ndërkaq, ka shprehur ambiciet e saj për të ecur drejt integrimit në NATO, së pari përmes përfshirjes në Programin e Partneritetit për Paqe e më pas të bëhet anëtare e aleancës.
Por, në NATO kanë theksuar se për pranimin e anëtarëve të rinj duhet miratimi i të gjithëve në Aleancë. Në NATO, katër nga 31 anëtarët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.
Në një debat të enjten para Parlamentit Evropian, Stoltenberg ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi dy organizata të ndryshme, por ndajmë të njëjtat vlera. Mbi 600 milionë evropianë jetojnë në vendet anëtare të NATO-së. Kur Suedia të bëhet anëtare e aleancës, 96 për qind e qytetarëve të BE-së do të jenë në NATO”, tha ai, duke nënvizuar rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit mes NATO-s dhe BE-së. / rel