Stoltenbergu edhe dy vjet në krye të NATO-s
Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka qenë në këtë pozitë nga viti 2014, i është zgjatur mandati deri në shtatorin e vitit 2022, ka njoftuar aleanca më 28 mars.
“Aleatët kanë treguar përkrahjen e tyre për punën e sekretarit të përgjithshëm për të modernizuar NATO-n dhe për t’u siguruar se i adaptohet të ardhmes”, ka thënë NATO-ja përmes një deklarate.
Të 29 vendet anëtare kanë votuar në të mirë të zgjatjes së mandatit të Stoltenbergut.
Pas këtij vendimi, ish-kryeministri norvegjez, do të jetë shefi i parë i aleancës, prej kohës së udhëheqësit gjerman, Manfred Woerner, që do të udhëheqë aleancën veri-atlantike më gjatë se pesë vjet.
Stoltenbergu ka thënë se është i nderuar me vendimin që kanë marrë 29 aleatët e NATO-s.
“Së bashku ne do të vazhdojmë të modernizojnë aleancën që të jetë e gatshme për të ardhmen”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Twitter”.