
Stoltenbergu i bën thirrje Rusisë të zbatojë Traktatin për armë bërthamore
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Rusisë që të veprojë në përputhje me Traktatin për Armë Bërthamore, një dokument i rëndësishëm për kontrollin e armëve për dekada.
“NATO-ja nuk dëshiron luftë të re të ftohtë, ne nuk dëshirojmë një garë armësh dhe i bëjmë thirrje Rusisë që të zbatojë Traktatin për Armë Bërthamore”, ka thënë Stolteberg pasi takimeve me kryeministrin bullgar, Boyko Borissov në Sofje.
Muajin e kaluar, Uashingtoni ka pezulluar zyrtarisht të gjitha obligimet e parapara në Traktatin për Armë Bërthamore, që daton nga viti 1987.
Ky pakt ndalon zhvillimin dhe pozicionimin e raketave balistike me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra, raporton “Rel”.
Shtetet e Bashkuara kanë marrë këtë hap pasi Uashingtoni dhe NATO-ja kanë akuzuar vazhdimisht Moskën për shkelje të këtij pakti, duke zhvilluar raketën 9M729, të njohur edhe si, SSC-8.
Rusia, e cila ka mohuar ndonjë shkelje, ka njoftuar se po ashtu do të braktisë këtë traktat.
“Raketat e reja ruse kanë kapacitet bërthamor, ato mund të arrijnë në qytetet evropiane, janë të vështira për t’u vërejtur andaj është e rëndësishme që të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë të veprojë në përputhje me paktin” ka thënë Stoltenberg.
Ai ka thënë se të njëjtën kohë, NATO-ja duhet të jetë e përgatitur për një botë pa këtë Traktat dhe me më shumë raketa ruse.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë në fjalimin e tij drejtuar kombit, muajin e kaluar, se nëse Shtetet e Bashkuara zhvillojnë raketa të reja në Evropë, atëherë Moska do të hakmerret duke pozicionuar armë të reja, të cilave do t’iu duhet shumë pak kohë për të arritur shënjestrat.