Stoltenbergu: I takon Serbisë të vendosë për çështje të teknologjisë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se i takon Serbisë të vendosë se çfarë lloji të teknologjisë dëshiron të ketë.
I pyetur nga “Zëri i Amerikës” për shqetësimet në rritje në lidhje me rolin e Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë për teknologjinë e saj 5G, Stoltenbergu ka thënë se ekzistojnë kushte që NATO-ja u kërkon vendeve anëtare sa i përket teknologjisë 5G, mirëpo sipas tij, kjo nuk vlen për vendet që nuk janë anëtare të Aleancës.
“Ne mund t’i këshillojmë ata, por varet nga Serbia që të vendosë se çfarë lloj telekomunikacioni dëshiron dhe si e organizon infrastrukturën e saj civile. Ne e mirëpresim faktin që Serbia është një partner i ngushtë i NATO-s. Ne po bashkëpunojmë me Serbinë”, ka thënë Stoltenbergu.
5G është gjenerata e fundit e teknologjisë së internetit që ofron për përdoruesit qasje në internet me një shpejtësi shumë më të madhe sesa ofrohet aktualisht.
Mirëpo, ekzistojnë shqetësime në shumë vende, që Kina po e përdorë këtë teknologji për qëllime qeveritare dhe për të spiunuar përdoruesit.
Kompania kineze e teknologjisë “Huawei” po synon të investojë më shumë në tregun serb.
Më 4 tetor, gjatë një vizite në Kinë, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka shfaqur shpresën që kompania kineze e teknologjisë “Huawei” të vendosë për hapjen e qendrës së të dhënave për Evropën Juglindore në Kragujevc të Serbisë.
Në muajin maj, Uashingtoni e përfshiu në listë të zezë “Huawei”-n, duke pretenduar se kompania kineze është përfshirë në aktivitete në kundërshtim me sigurinë kombëtare të ShBA-së, ose interesat e politikës së jashtme.