Stoltenbergu: NATO e bashkuar dhe vigjilente ndaj veprimeve të Rusisë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndodhet për vizitë në Shkup, ku bisedoi me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Presidentin Stevo Pendarovski dhe Kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi, mbi sfidat e sigurisë me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Sekretari Stoltenberg gjatë një konference shtypi me kryeministrin maqedonas, theksoi se Aleanca nuk shikon ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë nga Rusia kundër ndonjë shteti aleat të NATO-s, apo rajonit. Por ai tha se Aleanca e NATO-s mbetet vigjilente dhe po vëzhgon nga afër veprimet e Rusisë, ndërsa “ne – tha ai-, jemi të bashkuar”.
Ai nënvizoi praninë e Aleancës së NATO-s në rajon përmes misionit të KFOR-it, pranisë në Sarajevë dhe një zyre në Beograd, teksa tha se është e gatshme të përforcohet dhe të mbrojë secilin aleat ndaj çdo kërcënimi.
Kreu i Aleancës Veriatlantike tha se NATO-ja vazhdon ta përsërisë mesazhin për Rusinë që të përmbahet nga veprimet e saj agresive kundër fqinjëve dhe t’i japë fund agresionit kundër Ukrainës.
“Një nga shkaqet që Putini hyri në luftë ishte që ta pengonte hyrjen e Ukrainës në NATO; dëshironte që NATO-ja të garantojë se nuk do të zgjerohet, por po i ndodh e kundërta”, theksoi zoti Stoltenberg.
Edhe Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se nuk ka një kërcënim që vjen nga Rusia ndaj sigurisë së vendit të tij, por theksoi se ndikim rus ka tek partitë politike, pa i emërtuar ato. Ai pohoi se shërbimet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut janë të vetëdijshme për praninë e ndikimit rus në rajon dhe se “po ndjekin çdo hap të individëve dhe partive politike të cilat kanë interesa të njejta me Moskën”.
“Maqedonia e Veriut është një vend i sigurt; nuk ka kërcënime për ne dhe sigurinë e vendit tonë. Ne jemi vende anëtare të NATO-s dhe luftojmë kundër ndikimit rus, por të gjitha subjektet dhe aktorët politikë e kanë për detyrë t’i kontribuojnë paqes dhe qëndrueshmërisë”, tha kryeministri Kovaçevski.
Sekretari Stoltenberg shprehu mirënjohje për angazhimet e Maqedonisë së Veriut në misionet e Aleancës, ndërsa tha se NATO-ja dhe Maqedonia e Veriut mund të mbështeten tek njëra-tjetra. “Aleanca garanton sigurinë tuaj; jeni nën partullimin ajror të NATO-s”, tha zoti Stoltenberg, ndërkohë që theksoi rëndësinë jetike, siç tha, të sigurisë së Ballkanit Perëndimor për Aleancën e NATO-s.
Megjithatë, ai shprehu shqetësim për tensionet në Bosnjë e Hervegovinë dhe bëri thirrje për heqjen dorë nga retorika secesioniste. Po ashtu ai, u ndal tek ngjarjet në Kosovë, duke i quajtur të paranueshme veprimet e dhunshme, “madje edhe sulmet kundër ushtarëve të KFOR-it”, u shpreh ai.
Zoti Stoltenberg ritheksoi nga Shkupi se Beogradi dhe Prishtina duhet të angazhohen në dialogun e ndihmuar nga BE-ja , “si mënyrë e vetme për të arritur një zgjidhje që do të respekonte të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
Sekretari i NATO-s mbajti një fjalim para ligjvënësve të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, ku foli për synimet e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, një gjë që do ta forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe do të shtonte mundësitë për të gjithë qytetarët./VOA