Stoltenbergu: NATO nuk e ka ndërmend ta zvogëlojë numrin e trupave në Kosovë
NATO nuk ka plane për të reduktuar praninë e forcave të saj, as misionin e KFOR-it në Kosovë.
Kështu ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke shtuar se arsyeja pse NATO është në Kosovë është për të mbrojtur të gjithë njerëzit.
Siç shkruajnë mediat serbe, përcjell “Telegrafi”, përveç kësaj, ai ka folur edhe rreth bombardimit të Serbisë në vitin 1999 nga NATO, duke shtuar se “detyra ishte për të ndaluar luftën dhe katastrofën humanitare dhe në të njëjtën kohë për të parandaluar humbjen e jetës së civilëve”.
“Unë plotësisht e kuptoj se misioni i NATO-s është ende një temë e dhimbshme në Serbi. Unë nuk jam duke u kërkuar serbëve që të harrojnë atë që ndodhi në vitin 1999, por vetëm dua që Serbia dhe NATO bashkëpunojnë në të ardhmen”, citohet të ketë thënë njeriu i parë i NATO-s, në një intervistë për “TV Prva”.
Edhe komandanti i bazës ushtarake amerikane në kampin “Bondsteel” në Kosovë, koloneli Roy
Macaraeg, kishte komentuar raportimet e medieve se ShBA-ja mund të tërheq ushtarët e saj nga Kosova si pasojë e mos bindjes së Qeverisë së Kosovës, ndaj kërkesës së SHBA-së për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Ai kishte thënë se asgjë nuk ka ndryshuar në misionin e tyre në Kosovë dhe se “vendimet të tilla merren në nivelin politik”.