Stoltenbergu në Prishtinë: Stabiliteti në rajon ka rëndësi për sigurinë tonë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me një mijë trupa, që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës, tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.
Në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Stoltenberg, ka thënë se stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor “ka rëndësi për sigurinë tonë”.
Ai ka thënë se NATO do të zbatojë mandatin e misionit të tij në Kosovë, KFOR, për të ofruar mjedis dhe lëvizje për të gjitha komunitetet.
Duke folur për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit nga një grup i serbëve të armatosur, Stoltenberg u ka thënë se përgjegjësit për sulmin duhet të përballen me drejtësinë.
Ai ka theksuar se këtë mesazh do ta përcjellë edhe gjatë takimeve që do të zhvillojë më 21 nëntor në Beograd.
“Në shtator ne pamë një shpërthim serioz të dhunës në veri të Kosovës, që rriti shqetësimet se një konflikt i gjerë mund të rikthehej në Ballkanin Perëndimor. Në maj, trupat tanë të KFOR-it u sulmuan, me ç’rast u plagosën 93 ushtarë, disa rëndë, disa me plagë të përjetshme”.
“Sulme të tilla të dhunshme janë të papranueshme. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, ka thënë shefi i NATO-s.
Për sulmin në Banjskë, Kosova e ka fajësuar Serbinë. Por, Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Stoltenbergu po ashtu mirëpriti draft-statutin e ri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Themelimi i Asociacionit “do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”, ka thënë Stoltenbergu.
I pyetur për mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe, Stoltenbergu ka thënë se për këtë kërkohet vendim unanim i të gjithë anëtarëve të aleancës.