Stoltenbergu: Putini të fillojë negociatat e paqes
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që t’i japë fund luftës në Ukrainë menjëherë.
Duke folur për gazetën gjermane Die Welt, Stoltenberg tha se Putin duhet t’i tërheqë trupat e tij nga Ukraina dhe të fillojë negociatat e paqes.
“Ne qëndrojmë fuqishëm në krah të Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë këtë vend që të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje”, tha Stoltenberg.
Komentet vijnë në ditën kur Rusia shënon Ditën e Fitores, apo atë që njihet si mposhtje e Gjermanisë naziste, më 1945.
Stoltenberg tha se Putin e ka shfrytëzuar rregullisht fjalimin e tij të 9 Majit për të përhapur gënjeshtra për Perëndimin dhe për të kritikuar NATO-n.
“Unë pres që Putini përsëri të përhapë gënjeshtra për NATO-n dhe Perëndimin në përgjithësi”, tha ai.
Gjatë fjalimit të tij për Ditën e Fitores, Putin e uroi ushtrinë e tij dhe tha se Perëndimi ka bërë “komplote” për të kërcënuar Rusinë.
Sipas Putinit, “operacioni ushtarak” në Ukrainë ka qenë “i nevojshëm” dhe “në kohë”, transmeton Rel
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.
Mijëra njerëz janë vrarë në luftime dhe miliona janë zhvendosur nga shtëpitë.
Përfaqësuesit rusë dhe ata ukrainas kanë nisur negociatat për paqe shumë shpejt pas shpërthimit të luftës, por, deri më tash, ato nuk kanë sjellë ndonjë rezultat.
Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra, ekonomike dhe diplomatike, kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.