Stoltenbergu: Rreth 30 mijë trupa dhe armë moderne ruse ndodhen në Bjellorusi
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Rusia ka dërguar rreth 30 mijë trupa luftarake dhe armë moderne në Bjellorusi ditëve të fundit në atë që përbën dërgimin më të madh ushtarak rus në shtetin fqinj që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Duke folur para gazetarëve në Bruksel të enjten, zyrtari i lartë i NATO-s ka thënë se në mesin e dërgesave në Bjellorusi ka forca speciale ruse “Speznaz”, aeroplanë luftarakë të tipit “SU-35”, raketa “Iskander” dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore “S-400”, shkruan “Free Europe”.
“E tërë kjo do të kombinohet me ushtrimin vjetor të forcave bërthamore të Rusisë”, ka thënë Stoltenbergu, duke i bërë thirrje Rusisë që t’i ulë tensionet dhe duke e përsëritur paralajmërimin se “çfarëdo agresioni i mëtejmë rus do të kishte pasoja të rënda dhe do të bartte një çmim të lartë”.
Zhvillimi i ushtrimeve është planifikuar për periudhën nga 10 deri më 20 shkurt. Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, i cili ka arritur në Bjellorusi të enjten, ka thënë se numri i ushtarëve që do të përfshihen në ushtrime është nën nivelin maksimal që lejohet sipas rregullave të OSBE-së të vitit 2011, të njohura si “Dokumenti i Vjenës”.
Niveli maksimal, sipas këtij dokumenti është: 13.000 ushtarë, 300 tanke, 500 automjete të blinduara dhe 3.500 parashutistë. Kur ky nivel tejkalohet, Rusia është e detyruar që të ftojë vëzhgues të OSBE-së në zonën ku zhvillohen ushtrimet.