Stoltenbergu: Siguria e Evropës nuk mund të varet nga armët bërthamore franceze
Garancia e sigurisë bërthamore dhënë Evropës nga ShBA nuk mund të replikohet nga armët bërthamore franceze, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka ndezur një debat të nxehtë brenda NATO-s me komente të botuara muajin e kaluar mbi “vdekjen klinike” të aleancës mbrojtëse transatlantike.
Ngjarjet e fundit në Siri kanë bërë që Macroni të vërë në dyshim besueshmërinë e ShBA-së nëse Evropa do të ishte sulmuar duke argumentuar se “kontinenti duhet të rrisë aftësitë e tij të mbrojtjes”.
“Franca di se si të mbrohet. Pas Brexit, ajo do të bëhet fuqia e fundit e mbetur bërthamore në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Macroni në një intervistë për revistën “Economist”.
Por, sipas Stoltenbergut, armët bërthamore franceze nuk do t’i ofrojnë NATO-s një alternativë të zbatueshme.
“Armët amerikane janë pjesë e parandalimit bërthamor të NATO-s, diçka që ne e bëjmë së bashku. Ne u përpoqëm dhe testuam procedurat”, ka thënë ai.