Soltesi: Qytetarët e Kosovës të zhgënjyer me BE-në, shkak mosmbajtja e premtimit për vizat
Në një intervistë për “European Interest”, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, ka deklaruar se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku qytetarëve u kërkohen viza për të udhëtuar në vendet Shengen, edhe pse Kosova i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian.
“Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku ka ende viza. Kosova i ka përmbushur dy kushtet kryesore të përcaktuara nga Komisioni Evropian, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe demarkacioni me kufirin e Malit të Zi. Kjo e dyta ishte një çështje shumë delikate. Por prapë, nuk ndodhi asgjë. Tani njerëzit në Kosovë ndihen të zhgënjyer, besojnë se vendi i tyre nuk e meriton këtë. Kjo është sa për t’ju dhënë një shembull se sa problematike mund të jetë situata kur jep fjalën për diçka dhe nuk e mban. Ne në Parlamentin Evropian dhe në Komision kemi një qëndrim pozitiv, por vendimi i fundit i takon Këshillit. Po flasim vetëm për liberalizim të vizave, gjë që do të ndihmojë jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin, që të shmanget izolimi”, ka thënë Soltesi, raporton “TCh”.
Ndërsa sa i përket vendimit të Kosovës për të krijuar ushtrinë, Soltesi është përgjigjur: “Ka shumë çështje të vështira në këtë rast. Krijimi i ushtrisë ka hapur shumë kapituj, por ky është një test për BE-në, për të parë se sa e kupton Ballkanin. Sepse Bosnja Herzegovina ka qenë problem që nga krijimi, me një regjim specifik e me nacionalizmin gjithnjë e në rritje. Në Bosnje janë edhe komunitetet kombëtare, por rreth tyre ekziston edhe shoqëria civile. Të njohësh një vend si shoqëri civile është e vetmja zgjidhje për të ardhmen”.