STOP DREJTËSISË SELEKTIVE – JO AMNISTI PËR KRIMINELËT E 27 PRILLIT

25 dhjetor 2024 | 14:33

Shkruan: Astrit Gashi

Më 27 prill 2017, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut u shndërrua në skenën e një sulmi të paprecedent dhune. Një turmë nacionalistësh, të nxitur nga partitë e atëhershme qeverisëse të VMRO-DPMNE-së, depërtoi me forcë në institucionin më të lartë ligjvënës, duke synuar të pengojë formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Zoran Zaev.

Gjatë këtij sulmi, Ziadin Sela, lider i Aleancës për Shqiptarët, u sulmua brutalisht me qëllim eliminimin fizik të tij. Ky akt kriminal, i motivuar nga urrejtja politike dhe etnike, kishte për synim shuarjen e një lideri shqiptar, i cili përfaqësonte zërin e komunitetit shqiptar në vend dhe ishte faktor vendimtar për avancimin e pozicioneve drejtuese të shqiptarëve. Sulmuesit menduan se Sela kishte vdekur, aq sa në korridoret e Kuvendit filluan të festonin “vdekjen” e tij, ndërkohë që ai luftonte për jetën.

Sela mbijetoi, pavarësisht lëndimeve të rënda, dhe vazhdoi rrugëtimin e tij politik, duke u bërë simbol i qëndresës për drejtësi dhe barazi. Ngjarjet e 27 prillit u dënuan ndërkombëtarisht, dhe disa prej autorëve të sulmit u dënuan me vendime gjyqësore.

Por më 24 dhjetor 2024, Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut dorëzoi një mendim në Gjykatë, duke propozuar që Ligji për Amnistinë i vitit 2018 të zbatohet për të akuzuarit kryesorë në këtë rast, përfshirë ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski.

Kjo kërkesë ka ngjallur zemërim të thellë, veçanërisht mes shqiptarëve, duke u parë si një shembull i qartë i drejtësisë selektive.

Nëse zbatohet amnistia për kriminelët e 27 prillit, atëherë lind pyetja:

Pse nuk zbatohet amnisti për raste të tjera të cilat dyshohet së janë të montura si rasti “Monstra” apo rasti i Kumanovës?

Pse drejtësia vazhdon të favorizojë një grup të caktuar dhe të përjashtojë të tjerë?

Departametit Amerikan i Shetit po vezhgon situatën.

Ngjarjet e fundit tregojnë qartë se politika vazhdon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi drejtësinë. Futja e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në listën e zezë të SHBA-së për përfshirjen në lirimin e ish-shefit të shërbimit informativ maqedonas, Sasha Mihajllov, është një dëshmi tjetër e lidhjeve të ngushta mes strukturave politike dhe kriminale.

Në këto struktura kriminale, dallimet etnike zhduken. Aty shqiptarët dhe maqedonasit bashkëpunojnë për interesa të përbashkëta të errëta, ndërsa qytetarët mbeten viktima të padrejtësive dhe manipulimeve të tyre.

Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në një shoqëri ku drejtësia selektive dhe kontrolli politik mbi institucionet vendosin për fatin e qytetarëve. Kjo qasje jo vetëm që minon sundimin e ligjit, por rrezikon të nxisë revolta qytetare dhe thellon ndasitë etnike dhe politike në vend.

Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë! Jo amnisti për kriminelët e 27 prillit dhe as për asnjë akt të dhunshëm që rrezikon jetën dhe dinjitetin e qytetarëve, pa dallime etnike!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Konkluzionet e miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës…