Strakosha nuk është prekur me Covid-19
Shefi mjekësor i Lazios, Ivo Pulcini ka mohuar raportimet se portieri Thomas Strakosha është testuar pozitiv për COVID-19.
Në dy ditët e fundit ka pasur raportime të shumta të mediave lokale në Itali se Strakosha është me COVID-19, ndonëse nga klubi më herët ishte njoftuar për lëndim të tij.
“Është lajm i rremë dhe ka shumë të tilla për momentin”, ka thënë Pulcini, raporton Football-Italia.
“Nuk do të futem në detaje, por unë kam folur me njerëzit e përfshirë dhe kemi qeshur për këtë. Strakosha nuk ka COVID-19, ndërsa nuk e ka atë askush te Lazio. Ne ishim të parët që dërguam ekipin në shtëpi dhe do të shpërblehemi për atë veprim të hershëm”.
Portieri i Kombëtares së Shqipërisë ishte lënduar ditë më parë në stërvitje individuale. Lazio, që për drejtor sportiv e ka Igli Taren, ua ka ndaluar lojtarëve të largohen nga Roma. Klube tjera të Serie A i kanë lejuar lojtarët që të largohen në drejtim të vendeve tjera.