Strategji politike për vetëdijesim të elektoratit që të dalë në zgjedhje 80-95 %
Prof. dr. Hakif Bajrami
Nga shkolla kombëtare e Prekazit për progres kombëtar deri në liri, vlera historike dhe filozofike-kombëtare e luftës së UÇK-së 1991-1999 nuk bën të nëpërkëmbet (6)
Kriza politike si është përplasur sot në Kosovë, ka rrugëdalje nëse lajmërohen zgjedhjet për një afat gjashtëmujor dhe shteti drejtohet nga një qeveri ekspertësh – teknike si thuhet. Por në zgjedhje duhet të kihet një program dhe të bëhen reforma në përfaqësimin e deputetëve nga komunat e jo të akumulohen në një komunë 20 deputetë e ndonjë komunë mos të ketë asnjë. Pra, deputetët e “vendit” ta përcjellin një propagandë permanente që populli të mos qëndrojë “sehir”, por të dalë në votime dhe t’i zgjedhë ata që janë më të mirët. E kush fiton, pastaj le të qeverisë me këtë shtet. Verdikti i popullit duhet të pranohet me objektivitet.
Si të dilet nga kjo krizë. Opozita në shumë raste dëshiron dorëheqje të qeverisë dhe dihet shkuarje në zgjedhje të reja. Kjo rrugë është fare e natyrshme. Por, opozita nuk e dinë se nëse dalin në zgjedhje 43% të elektoratit, prapë do të kemi realitet të forcave të kësaj natyre, mos më keq se sa është sot. Prandaj opozita gjithmonë duhet të jetë e “urtë’ me sjellje sepse kështu si po sillet pozita propagandon se kundërshtari po kërkon anarki. Dhe asnjëra palë: pozitë-opozitë nuk do të luftonin me moton: O popull për të dalë nja 80-95% elektoratit në zgjedhje, sepse atëherë do të kishim realitet tjetër. Me gjuhën e shkencës historisë filozofisë politike dhe juridike, kjo do të thotë se nuk kemi “atë për mejdan” me këto ligje dhe me këto kuadro.
Dhe, jo që nuk mund të kemi por shkurt partitë politike këtë realitet nuk e duan, sepse do të gjinden para ndonjë Force të re politike, që do ta gjente rreshtimin në shtëpi dhe në Evropën e trazuar, në BE e plagosur, që si duket kur të hyjmë ne, ajo do të shpërbëhet (i lutemi zotit që mos të shpërbëhet). Po kush të investojë këtu kur çdo pushtet po tregon shenja pasigurie. Por, një fakt duhet të dihet, e këtë e themi TROÇ, se shpërbërje të partive dhe qeverisë mund të ketë, por shpërbërje të shtetit të Kosovës kurrë. Ka kaluar koha e vendosjes nëpër tavolina dhe marrëveshje “ilegale” siç është kjo me Serbinë.
Se marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, është ilegale ka dëshmuar Gjykata Kushtetuese duke i renditë 23 gabime. Nuk ka të drejtë kryeministri të shtihet se nuk ka ditur e në qeveri i ka dy jurist që krekosen se dinë çdo gjë. Po ju tregon puna, realiteti në drejtësi dhe arsim, shkencë e teknologji. Këtë realitet duhet ta mësojnë edhe përfaqësuesit serb në Kosovë, por një fakt duhet të bëhet publik se kurrë me asnjë çmim nuk do të Ju ndodhë atyre si na e kanë bërë ata neve 1981-1999. Këtë garanci e ka në kompetencë Republika e Kosovës dhe qytetarët saj sovran, pa asnjë dallim.
Sot (2016) qytetarët e Kosovës janë shumë të shqetësuar nga një realitet kritik që është krijuar nga trafet politike: pozitë dhe opozitë. Si duket “pikënisja” e kësaj krize është në çështjet e “kryer” nga superstruktura pushtetore, me nënshkrimin në Bruksel të Asociacionit të komunave serbe dhe vendosja definitive e vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi (ndryshe demarkacion). Por, niveli i komunikimit të pozitës dhe opozitës, po zbulon diçka më tepër se këto dy çështje, vërtetë si hapa të gabuar të pushtetit dhe jo pushtetit. Po them të gabuar, sepse pozita fare nuk është konsultuar të paktën me opozitën dhe Gjykata Kushtetuese i ka gjetur 23 shkelje të Kushtetutës. Ky faj politik-shtetëror, do të duhej të rezulton me dorëheqje të Qeverisë, nëse ka moral civilizues.
Çështje tjetër është a do të shkohej në zgjedhje të reja parlamentare. E vërteta, opozita e dirigjuar nga Vetëvendosja, po dëshmon se prej që është lajmëruar në skenën politike, kryesisht është marrë me krijimin e problemeve e jo me zgjidhjen e tyre, përmes dialogut intelektual dhe arsimor. Në fakt, Vetëvendosja si anëtarësi shihet, sa që më fascinojnë me dituri të paktën oratorike, sepse vërehet se kanë zbrazëti të mëdha për njohuritë politike dhe diplomatike e mos të flasim për sjellje taktike dhe gjeostrategjike në veprimtari.
Kjo parti, sa i takon nivelit mesatar arsimor politik, në Kosovë del se është shtresë (grupacion politik) më i arsimuari. Kam të drejtë të them këtë sepse qe 40 vjet merrem me politikë dhe prapë them që nuk di. Politika është shumë herë fatamorganë e fotelizmit narcist. Por çka kur veprimtaria nga ky fond i diturisë, po i del gjithnjë si “prift i verdhë”. I rëndësishëm por i pa rezultate të pjekura mirë e ofensivë si vlerë pozitive.
Pozita e Kosovës është një konglomerat i stralluar politik i dalë nga ish komunisto-udbashët dhe nga ilegalja patriotike që është mësuar të bëjë punë (hajë bukë) nën sofër. Tash kur e ka bukën në sofër, kjo “ajkë” politike, disi nuk ka as instinkt të mësohet me punën shtetërore shumëdimensionale dhe me mangësi arsimore dihet se është diku në mes. Asgjë kjo shtresë (ky trust politik) nuk ka bërë për themelimin e ushtrisë si garanci e shtetit.
Kjo shtresë qe 16 vjet, vetëm ndryshon emra të ushtrisë: TMK. FSK, e tash e synon FAK-un, por nuk ka kush ta themelojë. Të paktën asgjë nuk ka sakrifikuar deri me tash në luksin e saj për të ndërtuar ushtri të mirëfilltë. E pa themelimin e ushtrisë mirëfilltë, Serbia kurrë nuk do t’i ndalë intrigat dhe atentatet politike siç bërë në Bruksel me fajin e dy pushtetarëve. Asnjë pozicion tash nuk e shpërlan nga faji, pse nuk u pranuam në UNESCO, apo pse nuk kemi pranime të reja. Ky fakt është shqetësues.
Ndërkombëtarët, si duket janë lodhë me “hallet dhe dertet” e veta dhe çështjen e Kosovës e kanë ndalë në stacionin e Ahtisarit, diku në stacionin pa stacion. Asgjë nuk kanë bërë në lidhje me zbatimin e ligjit dhe krijimin e një shoqërie të së drejtës. Populli e do këtë realitet, por pushteti është yshtur në hajni dhe korrupsion dhe disa ndërkombëtarëve “pensionistë”, që kanë ardhur këtu për ta shpërlarë trurin e tyre, për Kosovën janë një lloj kanceri.
Tjetër çështje është pozita e diplomatëve dhe atyre që pushtetarët tanë janë mësuar t’i nderojnë deri në kult dhe tash kur vetëm pak ua kanë kthyer shpinën, për t` i provuar se a dinë të mbajnë shtetin-shpinë, këta pushtetarët vendos e kanë treguar fytyrën e tyre prej injorantësh ordinerë. E Kosova, ka dituri, ka trust trunor, por ai po injorohet dhe është koncentruar në “muskujt” e partive që nuk lënë gjë të zezë pa bërë për të fituar vota. Dhe, pastaj lavdërohen dhe formojnë nivele të “kulturës” së tyre zero, përmes asaj vote mjerane, që është e imponuar ose i kontrabanduar. Krejt njësoj.
Gjuha e inateve është kah lulëzon në Kosovë dhe kriza po thellohet
Kjo qeveri-pushtet, është e mbuluar me injorantë që në profesionin e tyre sot kurrë as nuk kanë ëndërruar. E vërteta, me këtë lloj pushteti partiak nuk mund të nxirret Kosova nga gremina e krizës që ka ardhur nga lartë, nga superstruktura, që e kanë plasuar pushtetarët partiak që janë stralluar nga viti 1999 e deri më sot.
Prej natyre baza ekonomike nuk mund të përmirësohet me këtë diktat dhe mentalitet mikropronar. Të rrallë janë ata ministra që e kanë njohuri në profesionin e tyre, lëmin që e kanë drejtuar, ose e drejtojnë. Jo më keq, në stilin “ministri” i dinë të gjitha, bashkëpunëtorët e tyre nuk kanë mund të dinë kurrë më lartë se këta injorantë të zanatit. Po, kryeministri sot është në pozicion si ekonomist, që të transformojë diçka, por në bisedimet që kamë me profesionistët e zanatit të tij, asnjëri nuk i jep notë pozitive. Ndoshta nga inatet, por Kosovës nuk i ndihmohet me inate.
Ky njeri ka diplomë dhe doktoratë ekonomisti dhe i ka disa ekonomistë që kanë përvojë dhe dinë të drejtojnë. Së pakut kështu e kualifikojnë edhe në fakultet. Po, ai është bërë “akademik”!!!, por aty cili prej tyre nuk është plagjiator ose bashkë partiak i ish LKJ-së ose LDK-së. E vërteta, akademik nuk është kurrfarë niveli i diturisë mbi qindra intelektualë që janë në epërsi intelektuale karshi tyre. Akademia e Kosovës ishte e klaneve politike dhe ka mbetur derivat i tillë dhe aty kot harxhohen paratë pa një reformë rrënjësore nga poshtë (delegim të akademikëve) lartë drejtimin i saj. Kështu nuk është vetëm në Kosovën e varfër dhe të politizuar skajshmërisht. Po për Kosovën ky realitet është tragjik sepse ende nuk kemi ndonjë vlerë kombëtare nga Akademia, por edhe nga institucionet shkencore që ekonomikisht të orientohemi, të rreshtohemi kah mesi vendeve të zhvilluara. (Vijon)