Strategjia e Energjisë 2022-2031 është hartuar në kuadër të një procesi krejtësisht jotransparent
Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë një konference për medie ka thënë se Strategjia e Energjisë 2022-2031, dokumenti më me rëndësi për zhvillim të vendit është hartuar në kuadër të një procesi krejtësisht jotransparent dhe jogjithëpërfshirës.
Ai ka thënë se strategjia e re e energjisë është strategji e thëngjillit dhe mungesës së vizionit
“Kosova në të gjitha krizat energjetike gjatë dy viteve të fundit është futur pa pasur strategji të aprovuar dhe ide se si t’i menaxhojë këto kriza të cilat rezultuan me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kjo strategji u vonua me muaj të tërë dhe u harrua tërësisht, ndërsa dje u kalua me urgjencë në Kuvend. Kjo qartazi po bëhet për të mbuluar dështimin e këtij dokumenti strategjik dhe ballafaqimit me problemin kryesor, atë të uljes së konsumit të energjisë elektrike që përdoret për ngrohje gjatë muajve të dimrit. Dhe jo vetëm”, ka thënë Azemi.
Ai ka thënë se edhe pse në dokument konstaton saktë që sektori i ngrohjes konsumon më shumë energji se çdo sektor tjetër i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, fatkeqësisht, kjo strategji nuk e adreson këtë si çështje dhe kjo nuk reflekton në programet e propozuara nga kjo qeveri.
“Në këtë dokument thuhet se ngrohja do të trajtohet në kuadër të strategjisë për ngrohje. Paramendojeni, strategji e energjisë që nuk trajton problemin kryesor të konstatuar në vet dokumentin. Kjo është njëjtë sikurse kur një mjek diagnostikon sëmundjen, por terapinë e ofruar e ka për diçka krejt tjetër! Pra, nuk mund të ketë strategji të mirëfilltë të energjisë nëse problemi kryesor me energji e që është energjia termike trajtohet ndaras strategjisë për energji. Bashkimi Evropian dhe SHBA në kuadër të tranzicionit prej djegies së lëndëve fosile deri në një koncept komplet të gjelbër janë duke e përdorur gazin. Pra, gazi është gjerësisht i njohur si mjet tranzicioni drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë, për shkak të dendësisë së lartë të energjisë, dhe ndikimit të vogël në mjedis. Të njëjtën alternativë e kanë ofruar edhe për shtetin tonë dhe kjo duhet shqyrtuar me seriozitet nëse dëshirojmë të krijojmë stabilitet në furnizim dhe siguri energjetike”, ka thënë ai.