Strategjia e Kurtit është që të dalë viktimë e bashkësisë ndërkombëtare
Ish-deputeti i Vetëvendosjes dhe kritiku i Albin Kurtit, Haki Abazi, ka thënë se kryeministri është duke krijuar kurthin e ri, duke krijuar kalkulime elektorale dhe me përpjekje ta rrëzojë veten nga pushteti nëpërmjet kërcënimit të bashkësisë ndërkombëtare
“Strategjia e Kurtit është që të dalë viktimë e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Abazi.
Deputeti Abazi ka thënë se Kosova ka ardhur në pikën e përplasjes me ndërkombëtaret që nga koha e targave kur administrata amerikane i kërkonte 10 muaj shtyrje çështjes së targave.
Abazi ka komentuar edhe vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ka thënë se vizita tregon respekt të veçantë të administratës amerikane për shqiptarët në rajon.
“Unë mendoj se edhe gjuha e kujdesshme e sekretarit të shteteve nuk ka dashur të lërë hije në marrëdhënien e rëndësishme strategjike që kanë SHBA me Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon”, ka thënë deputeti Abazi.
Ai ka shtuar se SHBA-ja dhe aleatët e BE-së kanë emërues të përbashkët në interesin në Ballkan. Sipas tij, perëndimi nuk dëshiron të ndizet një tjetër vatër e krizës. “E që do të drejtohej gishti te Kosova si provokatore apo ngritje e tensioneve që u mundësojnë aktorëve shtetërorë e jo shtetërorë, të cilët mund të marrin pretekst për konfliktin e ri në Ballkan”, ka thënë Abazi.
Sipas ish-deputetit të LV-së, të gjitha shtetet në kufi me Rusinë, presin që në një koment të caktuar të ketë provokim të konfliktit./ATV