Strategjia e BE-së e obligon Serbinë ta njohë Kosovën
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka vlerësuar shumë pozitive strategjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai ka bërë me dije se ky dokument, përveçse e sheh Kosovën pjesë të politikës së zgjerimit të BE-së, ofron edhe një qartësi të procesit të dialogut me Serbinë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoxhaj ka thënë se kjo strategji obligon Serbinë të bëjë një marrëveshje obligative me Kosovën, e cila është njohje e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.
“Kjo strategji ka edhe një dimension të dytë kur është fjala e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, ofron një qartësi të plotë që dialogu për normalizim duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshje obligative ligjore e cila për Kosovën, për anëtarët e BE-së dhe për vetë BE-në, nuk është gjë tjetër vetëm njohje e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Hoxhaj.
Duke përmendur aspektet jo të favorshme të strategjisë për Kosovën, ai ka thënë se Serbia nga të gjitha vendet e tjera të rajonit është favorizuar kësaj radhe.
“Nëse shohim për pjesët që nuk i pëlqejnë dhe nuk duhet t’i pëlqejnë Prishtinës, dhe në këtë drejtim Prishtina nuk duhet të jetë as super entuziaste, apo edhe naive, ka të bëjë me faktin se nuk ofrohet një qartësi kohore, një plan kohor se kur mund të lëvizë Kosova drejt një stadi të ri të raportit kontraktual me BE-në. Me fjalë të tjera, ne kemi pritur që do ta marrin statusin e kandidatit”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se ndikim në këtë dokument kanë pasur edhe pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj i ka ftuar vendet anëtare të BE-së të cilat e ka njohur Kosovën, të mos fshihen pas zërave që kundërshtojnë, por ta tregojnë perspektivën e qartë për Republikën e Kosovës.
Në këtë intervistë Hoxhaj ka folur edhe për obligimet që Kosova ka ndaj strategjisë së BE-së.
Sipas tij, demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet sa më shpejt. “Në pikëpamjen time individuale, qytetarët e Kosovës bëhen evropianë të mirëfilltë në atë moment kur ne miratojmë demarkacionin dhe kur ata lëvizin pa viza drejt Evropës. Kjo është çështja më e rëndësishme në politikën e Kosovës. Prandaj si Qeveri dhe si partnerë të koalicionit duhet ta gjejmë një zgjidhje konsensuale e cila do të duhej të votohej në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Hoxhaj.
“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, Komisionit Evropian të martën ka prezantuar strategjinë e re të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Cili është komenti juaj për këtë dokument?
Hoxhaj: Marrë në tërësi, kjo strategji ka elemente dhe dimensione shumë pozitive për Kosovën nëse kemi parasysh faktin se Republika e Kosovës është pjesë e politikës së zgjerimit. Pra, diçka që është e rëndësishme sa për Kosovën aq edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por edhe për të ardhmen e BE-së. Në të njëjtën kohë kjo strategji ka edhe një dimension të dytë, kur është fjala e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, pasi ofron një qartësi të plotë që dialogu për normalizim duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshje obligative ligjore e cila për Kosovën, për anëtarët e BE-së dhe për vetë BE-në, nuk është gjë tjetër vetëm njohje e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Përtej dimensionit Kosovë – BE dhe Kosovë – Serbi është mirë që në një kohë të një vakumi gjeopolitik, në një kohë të sfidave dhe të kërcënimeve globale, në një kohë kur BE-ja po ballafaqohet me kriza të shumta të brendshme, qoftë politike, ekonomike, financiare, dhe të trendeve populiste të shumë qeverive brenda shteteve anëtare të BE-së, ka dalë me një dokument se si mund të duket e ardhmja e Ballkanit.
“Epoka e re”: Megjithatë, ky dokument nuk ka arritur të paraqesë një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit. Madje Kosovës nuk i ka ofruar qartësi për anëtarësim në BE?
Hoxhaj: Nëse shohim për pjesët që nuk i pëlqejnë dhe nuk duhet t’i pëlqejnë Prishtinës, dhe në këtë drejtim Prishtina nuk duhet të jetë as super entuziaste apo edhe naive, ka të bëjë me faktin se nuk ofrohet një qartësi kohore, një plan kohor se kur mund të lëvizë Kosova drejt një stadi të ri të raportit kontraktual me BE-në. Me fjalë të tjera, ne kemi pritur që do ta marrim statusin e kandidatit dhe ka një lloj favori të Serbisë, meqenëse asaj i ofrohet edhe një datë e anëtarësimit.
“Epoka e re”: Pse mendoni se ka ndodhur ky mosqartësim i perspektivës së anëtarësimit të Kosovës në BE?
Hoxhaj: Ne duhet të jemi shumë realistë dhe mos ta krijojmë një kulturë vetëm të ushtrimit të kritikës mbi institucionet e BE-së. Natyrisht se BE-ja do të duhej dhe duhet ta ofrojë statusin e vendit kandidat për Kosovën, nëse vendeve të tjera ua ofron edhe datat për anëtarësim në BE. Kjo është më se e logjikshme. Mendoj se edhe në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dokumenti nuk është i avancuar pasi më shumë e favorizon Serbinë. Përtej kësaj, Kosova është vendi i fundit që ka filluar ta zbatojë agjendën evropiane të integrimit nëse kemi parasysh kohën kur ka nënshkruar marrëveshjen e MSA-së. Ne kemi pasur një proces të shtetndërtimit i cili është i fundit në rajon. Po ashtu, jemi të fundit që kemi filluar raportet kontraktuale me BE-në. Por, edhe për shkak të faktit se dialogu Kosovë – Serbi është shpallur si një lloj instrumenti gjeopolitik, i cili do të duhej më shumë ta mbështet Serbinë për shkak të ndikimit rus dhe ta trajtojë Serbinë drejt një partneriteti me BE-në dhe me Perëndimin sesa të shihen dinamika të tjera rajonale.
“Epoka e re”: Është thënë se kjo qasje ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së. Sa qëndron kjo?
Hoxhaj: Pajtohem me konstatimin tuaj. Institucionet e BE-së, presidenti Juncker, znj. Mogherini dhe komisionari Hahn kanë treguar vullnet dhe gatishmëri të plotë që ta mbështetin Kosovën në avancimin e raportit kontraktual me BE-në. Kjo vërehet edhe në dokument, por edhe në konferencën për medie ku Mogherini dhe Hahni ishin shumë të qartë. Ata që e njohin në thelb politikën e zgjerimit i njohin metodat dhe format se si shtyhet zgjerimi. E dinë se agjenda evropiane e Kosovës është diçka që jepet për vendet që pritet ta marrin statusin e vendit kandidat. Faktikisht, BE-ja ka pasur vullnet, por disa shtete anëtare kanë ngritur hezitime të ndryshme. Përtej asaj se cili shtet ka mundur ta reflektojë politikën individuale në raport me Kosovën, jam i mendimit se shumica e shteteve që e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur nuk do të duhej të fshihen pas flamurit kundërshtar të ndonjë shteti, por duhet të jenë të qarta në raport me të ardhmen e Kosovës. Qasja jonë si Kosovë, jo vetëm në raport me këtë strategji, por në këta 10 vjetët e pavarësisë, ka qenë promovimi i një politike dualiste. Sa të mbështesim forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes shtetit të Kosovës dhe vendeve anëtare të BE-së, po aq edhe të krijojmë një raport të mirëfilltë kontraktual me institucionet e BE-së. Por, natyrisht se shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën e kanë pasur ndikimin e tyre në këtë strategji.
“Epoka e re”: Cila është përgjegjësia e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim? Jo rrallë institucionet janë kritikuar për moskryerjen e obligimeve që kanë marrë në raport me BE.
Hoxhaj: Politika e zgjerimit nuk është vetëm politikë e jashtme. Ajo është edhe politikë e brendshme. Zgjerimi ka të bëjë edhe me dinamikat e brendshme të shteteve të cilat aspirojnë të bëhen pjesë e familjeve evropiane. Në këtë drejtim, nëse BE-ja i ka grupuar shtetet e rajonit në tri shpejtësi të ndryshme, atëherë në shpejtësinë e parë e ka futur Malin e Zi dhe Serbinë, duke u ofruar vitin 2025 si vit të mundshëm të anëtarësimit, ndërsa në grupin e dytë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Duke konstatuar se me këto dy vende mund të hapen negociatat për anëtarësim shumë shpejt, dhe në grupin e tretë Bosnjën dhe Kosovën. Nëse kjo është mënyra se si Komisioni Evropian e lexon rajonin, varet se cila është shpejtësia jonë e brendshme. Kjo shpejtësi varet prej reformave që i kryejmë brenda vendit. Qeveria e Kosovës ka prioritet zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformës (ERA). Kryeministri Haradinaj ka zhvilluar disa takime dhe ka kërkuar nga ministrat ta bëjnë punën e tyre në këtë drejtim. Mirëpo, kjo nuk duhet të jetë vetëm një përkushtim yni deklarativ, por duhet të bëhen shumë punë. Kosova duhet t’i zbatojë 22 prioritetet që ka para vetes, qoftë punët që duhet t’i kryejë Kuvendi i Kosovës përmes miratimit të ligjeve të caktuara, qoftë punët që duhet t’i kryejë Qeveria apo edhe punët që duhet t’i kryejnë partitë politike. Integrimi në BE është pasojë e zhvillimit ekonomik. Nëse nuk arrijmë ta përmirësojmë gjendjen ekonomike dhe ta modernizojmë shoqërinë atëherë do ta kemi vështirë që të jemi pjesë e familjes evropiane. Vetëm zhvillimi ekonomik dhe modernizimi krijojnë parakushte që Kosova të jetë pjesë e BE-së.
“Epoka e re”: Si do t’i qaset Qeveria e Kosovës kësaj strategjie?
Hoxhaj: Nuk ka vend as për dëshpërim e as për frustrim. Ne duhet të punojmë që gjatë vitit 2018 ta zbatojmë agjendën evropiane të reformave dhe ta dërgojmë aplikimin tonë për status të kandidatit, diçka që unë kam kërkuar që në vitin 2017. Kur ne të aplikojmë për status të kandidatit, që merr kohë derisa të trajtohet një temë e tillë, ne mund ta avancojmë pozitën e Kosovës në raport me BE-në, pavarësisht asaj që shkruhet apo nuk shkruhet në strategjinë e zgjerimit të Komisionit Evropian. Aty ku Kosova mund të bëjë progres është zbatimi i MSA-së. Pra, rruga e Kosovës është e hapur. Nëse kjo strategji është deri në vitin 2025, ne duhet të shikojmë se çfarë mund të bëjmë në shtatë vjetët e ardhshëm. Dinamika e integrimit për vendet e rajonit ka qenë e ndryshme. E mbaj mend kur Kroacia dhe Maqedonia në vitin 2001 kanë nënshkruar MSA-në dhe në vitin 2013 Kroacia është bërë shtet anëtar i BE-së, ndërsa Maqedonia ende në vitin 2018 nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim. Pra, gjithçka varet prej dinamikes së brendshme të secilit shtet. Nëse e shohim hartën e rajonit, shihet se ka një garë në rajon se kush po lëviz më shpejt. Maqedonia po bën përpjekje t’i zgjidhë temat të cilat i ka të hapura me Greqinë, Shqipëria po bën përpjekje t’i zgjidhë temat të cilat i ka të hapura me Greqinë. Po ashtu, Serbia po bën përpjekje t’i zgjidhë temat e hapura me Kosovën përmes dialogut për normalizim të raporteve, kurse Mali i Zi po përkushtohet ndaj këtyre temave.
“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, Kosova ka një çështje të hapur me Malin e Zi, që është demarkacioni. Me çfarë shpejtësie do të zgjidhet kjo çështje?
Hoxhaj: Në pikëpamjen time individuale qytetarët e Kosovës bëhen evropianë të mirëfilltë në atë moment kur e miratojmë demarkacionin dhe kur ata lëvizin pa viza drejt Evropës. Kjo është çështja më e rëndësishme në politikën e Kosovës. Prandaj, si Qeveri dhe si partner të koalicionit duhet ta gjejmë një zgjidhje konsensuale e cila do të duhej të votohej në Kuvendin e Kosovës. Unë nuk jam për atë që ne të tregojmë vetëm përmes deklaratave se cilat janë qëndrimet tona, sepse dihen qëndrimet e secilit subjekt politik dhe pothuajse të secilit individ sa i përket kësaj teme. Duhet ta krijojmë një momentum dhe ta dërgojmë marrëveshjen dhe raportin e komisionit në Kuvendin e Kosovës dhe ta gjejmë një zgjidhje që të ecim përpara. Nëse ju e keni dëgjuar me vëmendje deklaratën e Mogherinit, ka theksuar qartë se në atë moment kur përmbushet kriteri i demarkacionit, qytetarët e Kosovës lëvizin pa viza drejt Evropës. Mendoj se një deklaratë e tillë e thënë në Bruksel ka qenë lajmi më i fuqishëm që mund ta thotë dikush nga pozita që ka aktualisht Mogherini.