Strategjia e Serbisë kundër perëndimit përmes Kosovës

05 tetor 2023 | 16:12

Hajdin Abazi

Kur dy ditë pas përpjekjes për organizim të kryengritjes së armatosur në Kosovë kam publikuar shkrimin, nuk i kam pasur informacionet që tashmë janë bërë të njohura për opinionin, sidoqoftë konstatimi i shprehur është real: 24 shtatori është një momemtum i ri.
Ky momentum i ri është para se gjithash për Kosovën, por edhe për ShBA, BE dhe NATO, sepse të gjithë këta faktorë janë të ndërlidhura dhe të afektuara drejtpërdrejt e tërthorazi. Ajo çfarë ka ndodhur midis Kosovës dhe ShBA para se gjithash dhe sidomos gjatë këtij viti, deri te 24 shtatori, ishte një vetëgoditje, një sjellje e qëndrim i gabuar i pushtetarëve, që ishte duke çuar në ngrirjen e raporteve ndaj Kosovës në vend se të bënte krejt të kundërtën: t’i kultivonte e përforconte ato.
Kosova realisht ishte në një pozitë shumë të keqe, sa që edhe u sanksionua dhe kishte rrezik për rigjenerim të sanksioneve edhe më tej, bukur shumë më fajin edhe të Kosovës që nuk gjeti dot mënyrën e bashkërendimit me ShBA me gjithë insistimin e kësaj. Marrëdhëniet me sponsorizuesin e shtetit të Kosovës, pra me ShBA, politikisht arritën thuajse në pikën e ekskomunikimit. Ky duhet të jetë një leksion politik dhe historik, që kurrë më të mos përsëritet!
Por Beogradi zyrtar u vetëdemaskua. Dhe kjo ishte e pashmangshme. Sepse sjellja gjoja konstruktive dhe e gjoja përkushtimit për zgjidhje paqësore me Kosovën përmes dialogut, ishin farsë, njëlloj sikurse kanë qenë që nga fillimi. Ato ishin një maskë, sa për të futur në kurthe Perëndimin, ashtu që të fitonte legjitimitet ndërhyrja ushtarake në Kosovë. Kjo aspiratë që zanafillën e ka ndër shekuj dhe e pashuar as pas bombardimeve të NATO-s, mbetet konstante e shovinizmit politik të Beogradit, dhe pikërisht kjo, herët a vonë, do të bënte të hiqej çirrej maska gjoja-perëndimore e të dilte në shesh fytyra e vërtetë si mashë ruse kundër gjeopolitikës euroatlantike.

*
Pas 14 shkurtit 2021, Kosova ra gradualisht në kurthin e Serbisë që kulmoi pas zgjedhjeve lokale në veri, pasi që gradualisht e kontestoi besimin ndaj ShBA deri në mosdëgjim të hapur e veprim ndryshe. Duke e parë se ku po rrëshqitte Kosova, Vuçiq kishte filluar të luante rolin e ujkut të zbutur, që ishte i interesuar për zgjidhje, për koordinim e thuajse edhe për bashkërendim me ShBA, BE dhe NATO, por disi në mënyrë të ndrojtur për shkak se ishte i kanosur drejtpërdrejt nga Rusia.
Serbia kishte arritur të paraqiste kryeministrin Kurti me një pamje të stërkequr, sikur gjoja po instalonte politika luftënxitëse ndaj minoritetit serb, që nuk ishte e vërtetë dhe nuk është e vërtetë. Por ftohja e tij ndaj sponsorëve të çlirimit dhe të shtetit të Kosovës, i krijoi rrethana Vuçiqit dhe politikëbërësve në Beograd të krijonin një perceptim sikur po synohej persekutimi i serbëve. Kjo i dha kredi Vuçiqit që çdo kriminel lufte (1998-1999), si dhe çdo kontrabandist, paramilitar e çdo kriminel, ta paraqiste sikur po përndiqej gjoja mbi baza etnike. Krimin, kontrabandën, veprimet paramilitare i bëri sinonim me qytetarë të thjeshtë serbë që nuk ishin askund të inkriminuar, por që shteti i Kosovës po i ndiqte politikisht dhe po bënte spastrim etnik. Kjo, absolutisht, ishte e pavërtetë. E vërteta ishte se kështu Serbia po mobilizonte këto kategori për t’i hedhur në veprime radikale, sikurse kishte bërë vazhdimisht, por tash edhe në forma gjoja guerile.
Qeveria e Kosovës në pozicionin e ngurtë që kishte krijuar dhe sidomos me diskrepancën me ShBA, kishte bërë gabimin trashanik që i krijoi Serbisë kondita për t’ia mjegulluar perceptimin perëndimit. Sigurisht, ShBA ka interes strategjik ndaj Serbisë për ta inkuadruar në botën perëndimore, e për ta larguar nga aleanca ruse, veçse askujt nuk i beson blanko por ka sistemin dha kapacitetet e kontrollit që edhe t’i shohë se sa janë konsekuentë në përmbushjen e asaj që deklarohet e pretendohet, por edhe t’i ndalojë.

*
Po të mbetej Serbia në terrenin politik, realisht, rrjedha e zhvillimeve ishte duke shkuar në favor të saj dhe disfavor të Kosovës.
Por shovinizmi serb nuk njeh kufij dhe arsye politike, sepse është i pangopur dhe është infektuar në mënyrë kancerogjene nga metafizika shoviniste e teologjike, të ndërlidhura e të kondicionuara në mënyrë të ndërsjellë, në linja të njëjta me atë të Rusisë, kundër Perëndimit dhe kundër fqinjëve, posaçërisht kundër shqiptarëve.
Në fund të fundit, duket se Beogradi ra në kurthin që ia ngriti Kosovës dhe Perëndimit. Beogradi kalkuloi gabim se ka arritur t’ia eklipsojë perceptimin Perëndimit dhe se qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës ishte përkeqësuar deri në kufijtë thuajse kritik, dhe pikërisht gjatë kësaj kohe sa po ndodhte kjo stërkeqje faktike – Beogradi zyrtar kishte investuar në përgatitjen dhe stërvitjen e grupeve agresioniste. Në krye vendosi njeriun e besueshëm të Vuçiqit dhe të inkriminuar në biznes, kërcënime, shantazhe e vrasje edhe të vetë serbëve në Kosovë – Milan Radojçiqin. Pasi kishte krijuar perceptimin e gjoja një represioni (pa asnjë fakt real) ndaj minoritetit serb, besoi se kishte krijuar klimën e duhur që Perëndimi të toleronte veprime për kryengritje të armatosur në Kosovë me synim aneksimin e veriut si ndërhyrje shpëtimtare për minoritetin – taktikë kjo e njëjtë me atë që Putin e ndoqi në luftën pushtuese në Ukrainë shkurtin e vitit 2022.
Kur Serbia po paraqitej si dele, nëntokë dhe prapa shpinës së Perëndimit po përgatiste një sulm ndaj Kosovës, por për shkak të pozicionit specifik, çdo sulm ndaj saj është njëherit edhe sulm ndaj NATO, ShBA dhe BE.

*
Nuk ka dyshim se kishte një skenar, me disa faza, që nuk është zor të merren me mend.
Faza e parë ishin riorganizimi i paramilitarëve të “Mbrojtjes Civile dhe “të Brigadave të Veriut” në grup militar, të stërviteshin si grupe gjoja-guerile, me mbështetje ekspertësh ushtarak dhe armatim nga Serbia. Se ishin diversionistë e tregon fakti se u tërhoqën në Serbi, dhe janë të vendosur atje, e madje Serbia nuk i arreston por i lë të lirë, madje edhe duke i trajtuar si heronj.
Faza e dytë ishte futja e diversioniste në territorin e Kosovës, për t’u dislokuar në pozita strategjike, natyrisht pasi që më parë kishin kontrabanduar armë e automjete ushtarake, dhe të niste marrja e kontrollit mbi territorin verior të Kosovës.
Faza e tretë ishte involvimin i manastirit të Banjskës, qoftë për të krijuar perceptimin në popullatën serbe se kisha është mbështetëse e tyre, por edhe që të përqendrohej aty kundërveprimi mbrojtës i Kosovës, e që para botës të paraqitej si sulm ndaj kishave serbe.
Faza e katërt, do të ishte përhapja e lëvizjes guerile edhe në pjesë të tjera, që do të çonte kah pushtimi i veriut, e që Beogradi dhe diplomacia serbe do ta mbështesnin si gjoja mbrojtje nga “represioni” i Kurtit, gjithnjë duke e akuzuar Kosovën se ajo e përkeqësoi gjendjen sa të mbetej e vetmja rrugë kryengritja e armatosur e minoritetit serb, sepse Kosova nuk pranonte zgjidhje politike.
Faza e pestë do të ishte shpallja e një republike serbe në Kosovë, e pasuar nga ftesa e qeverisë së saj drejtuar Serbisë për ndihmë ushtarake dhe eventualisht futja e ushtrisë serbë në Kosovë (reprizim i veprimit të Putini në Ukrainë). Kjo mund të shkonte deri atje, sa të ftohej Rusia për të dërguar trupa në mbështetje të Serbisë, me çka do të krijohej një vijë frontale midis Perëndimit dhe Rusisë, diçka ngjashëm sikurse ishte Muri i Berlinit si kufiri ndarës midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës.
Ky skenar parashihte involvimin e ushtrisë serbe, të inteligjencës serbe, të mercenarëve të Wagnerit e të kriminelëve të tjerë, të cilët disa herë ishin futur ilegalisht nga Serbia në Kosovë dhe kishin vepruar herë pas here por në mënyrë të veçantë u treguan shumë aktiv në konfliktet e tyre kundër KFOR-it në fundmaj e fillimqeshor të këtij viti, e që vet ky ishte një skenar tjetër nga presidenti serb Vuçiq.
Fazat e skenarit mund të ndërthureshin në zbatim e sipër me një shpejtësi varësisht nga zhvillimet, por ja që krejt ato u shembën më 24 shtator nga që Kosova veproi shpejt dhe me efikasitet.
Beogradi zyrtar me veprimet e dhunshme që i kishte inkurajuar kundrejt KFOR-it kishte treguar se i dirigjon ato, i nxit ose i frenon me ritmin që ka në mashtrimin strategjik ndaj Perëndimit, por gjithnjë me taktika dhe strategji që nuk ofrojnë zgjidhje por e acarojnë gjendjen, duke ia hedhur fajin gjithnjë Kosovës, dhe duke kërkuar përkrahjen e Perëndimit ndaj “qasjes represive” të Kosovës. Në të vërtetë, Kosova kishte bërë gabime që nuk ishte bashkërenduar me ShBA, por absolutisht dhe në asnjë rast, asnjëherë që nga paslufta e deri më sot, nuk kishte tejkaluar policia e Kosovës sjelljen profesioniste dhe të fokusuar vetëm ndaj të inkriminuarve, madje jo rrallë edhe duke mos marrë veprime vetëm që të mos përfshihej edhe ndonjë civil i pafajshëm, me objektivin e qartë edhe për të diferencuar e mbrojtur qytetarët e pafajshëm, edhe për t’i treguar botës se Kosova është e kujdesshme.

*
Grupi agresionist që u fut në Kosovë, nuk kishte asnjë element të një strukturë çlirimtare. Unë vet kam qenë ushtar i UÇK. Por kurrë nuk do t’i isha bashkëngjitur një “lëvizje çlirimtare”, sikur ajo të udhëhiqej nga një kriminel lufte, kontrabandist e organizator vrasjesh si soji i M. Radojçiqit. Një miliarder që pasurinë e vet e ka bërë me inkriminime nga më të ndryshmet, nuk është kredibil për të qenë në krye të një lëvizjeje çlirimtare. Por me sa duket, Vuçiq nuk ka gjetur njeri më të besueshëm për këtë mision. Dhe kjo e shpreh krejt karakterin “çlirimtar”. Një njeri që është përgjegjës për mbajtjen e minoritetit serb nën shantazh, presion dhe që ka organizuar edhe kërcënime e vrasje të serbëve, nuk ka asnjë premisë reale të jetë një luftëtarë lirie. Lufta për liri kërkon ideale çlirimtare, kur njeriu duhet të jetë i gatshëm të flijojë edhe jetën për ato ideale, të shpenzojë pasurinë që ka dhe jo të bëhet miliarder; të kundërtën kanë bërë dhe bëjnë vetëm profiterët e luftës.

*
Vuçiq duket qartë se ishte udhëhequr nga profetizimi i Dobrica Qosiç, i cili kishte shkruar se Serbia mund të ketë shanse për ta rikthyer Kosovën vetëm kur të arrijë ta armiqësojë atë me Perëndimin dhe sidomos me ShBA, dhe kjo ishte arritur deri diku gjatë këtyre dy viteve të fundit. Por, me këtë rast, ishin harruar aspektet e tjera që Perëndimi dhe sidomos ShBA-të i kishin me Kosovën, ndër të cilat gjeopolitika euroatlantike.
Beogradi zyrtar duket se i ka keq perceptuar qëndrimet e ShBA dhe të KFOR-it e të BE-së lidhur me Kosovën. Sanksionet që iu vendosën Kosovës kishin të bënin me mosdëgjueshmërinë e qeverisë Kurti ndaj ShBA, por nuk ishte tregues se ShBA e kishte hequr nga sfera e interesit dhe e gjeostrategjisë së saj, gjë që e kishte theksuar disa herë.
Në të vërtetë, Kosova është pjesë e gjeostrategjisë amerikane dhe euroatlantike, e Serbia pjesë e gjeopolitikës ruse. Sjellja me tolerancë dhe sidomos sinkronia e ShBA-së dhe e BE-së ndaj Serbisë ishte përpjekje për ta larguar atë nga Rusia, që me sa duket kishte dhënë shenja se ka një gatishmëri vetëm se i duhet shtytja e perëndimit dhe sidomos koncesionet lidhur me asociacionin e komunitetit serb, i cili duhej të merrte tipare autonomiste e madje ajo mund të rritej edhe më shumë, sikurse e tha edhe kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman – në një strukturë federale. Deri këtu degradoi humbja e besimit ndaj Kosovës dhe deri këtu arriti mashtrimi i Serbisë ndaj Perëndimit.
ShBA dhe Perëndimi nuk është i gatshëm të krijojë edhe një “vrimë të zezë” të gjeopolitikës ruse në kontinentin e Evropës, sepse do të ishte tepër e rrezikshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit. Prandaj, masat ndaj Kosovës tregonin se i kërkohej bashkërendim për të shmangur atë që dëshironte Serbia, që kjo vrimë potencialisht e zezë të mos aktivizohej në funksion anti-Evropë e anti-Perëndim.
Konsekuenca gjeostrategjike dhe gjeopolitike euroatlantike ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar asgjë, prandaj ShBA, Britania e madhe dhe Gjermania ishin të zëshme dhe decidive kundër veprimeve e të cilati dënuan, por edhe i kërkuan pa ekuivokë asaj që të largonte ushtrinë nga kufiri i Kosovës.
Serbisë mund t’i bëhej ndonjë koncesion politik lidhur me minoritetin serb në Kosovë, por jo koncesion që e godet strategjinë euroatlantike. Por kjo nuk i mjaftonte Serbisë, ashtu sikurse Asociacionin e kishte vetëm pretekst, për ta shndërruar në një shtet të dytë në Kosovë. Veprimet e të sponsorizuara nga Serbia që godisnin sa Kosovën aq dhe NATO, ShBA dhe BE, treguan qartë se Serbia ua kishte hedhur, se ajo tjetër gjë deklaronte në tryezën e bisedimeve e tjetër gjë vepronte; thjesht se Serbia ishte inskenuesja e gjithçkaje të keqe që kishte ndodhur në veri, në emër të gjoja minoritetit serb.

*
Shovinizmi serb, aktualisht varianti i Vuçiqit, është tepër perfid, nuk ka forcën shpirtërore të shoh të vërtetën në sy, dhe të reflektojë. Ai dëshiron ta ndryshojë të vërtetën sipas interesave kundër shqiptarëve, e atë pastaj ta njohë si të vërtetë, ani se do të ishte një e vërtetë e përmbysur. Ai nuk e kupton se rrjedhat e historisë i kanë pleksur interesat strategjike të shqiptarëve dhe të ShBA e të euroatlantizmit.
Shovinizmi serb nuk mund të çlirohet nga sëmundja e vet kancerogjene si për shkak të metafizikës politike ashtu edhe për shkak të ndikimit religjioz, të cilat ndërlidhen, mbështesin njëra-tjetrën dhe kondicionohen në mënyrë të ndërsjellë.
Shovinizmi serb, gjithsesi, ndonëse synon të paraqitet, nuk është vetë populli serb, dhe këtë e tregojnë zërat serbë që e kundërshtojnë shovinizmin, veprimet agresive, politikat mashtruese të Vuçiq – janë dëshmi se njerëzit racional janë të shtypur nga pushteti, pa mundësi për t’u artikuluar dhe për të ndikuar në politikat e Serbisë. Shumica e qytetarëve serbë në Banjskë deklaruan se nuk dinin se çfarë kishte ndodhur më 24 shtator, që flet shumë për karakterin e kontrabanduar “importues”.
Edhe më e rëndë është gjendja e minoritetit serb në Kosovë: ai mbahet peng nga Beogradi zyrtar, si dhe përmes mekanizmave politikë e paramilitarë të krijuar e të dirigjuar nga Beogradi. Ai ka nevojë të çlirohet, po njëmend të çlirohet, ama nga shovinizmi serb dhe nga presioni e shantazhet e Beogradit. Një serb e tha: ai dhe familja e tij, ndonëse mund të tingëllojë paradoksale, është më e sigurt në Kosovë se sa në Serbi. Kjo është e vërtetë, sepse në Kosovë edhe po të jesh kundër qeverisë, nuk ndiqesh, nuk persekutohesh e arrestohesh më motive politike apo etnike, kurse në Serbi po. Thuajse secili serb që ka dashur të bashkëpunojë me institucionet kosovare, pra të integrohet në lirinë e Kosovës ashtu sikurse kanë bërë të gjitha komunitetet e tjera, sapo të hyjë në kufirin e Serbisë – ndalohet, merret në pyetje, shantazhohet, i bëhet presion, arrestohet e dërgohet në burg.
Prandaj, problem kryesor për Serbinë është fryma shoviniste, dhe kjo është një çështje në të cilën Perëndimi duhet të punojë me strategji afatgjate, për të mbështetur forcat properëndimore në Serbi e në Kosovë, të cilët e kanë kuptuar të keqen e madhe të shovinizmit dhe duan ta heqin qafe atë e të përvetësojnë frymën evropiane, dhe këta mund ta shërojnë Serbinë nga sëmundja e shovinizmit e si rrjedhojë do të hiqej edhe “pushtimi virtual e real” i minoritetit serb në Kosovë.

*
Se Vuçiq nuk ka të njëjtat vlera euroatlantike ose Perëndimore mund të konstatohet edhe nga diçka periferike. Përderisa Perëndimi, konkretisht ShBA, Britania e Madhe, BE e NATO – nderuan policin Afrim Bunjaku që u vra në krye të detyrës, e që ishte respekt për forcat e sigurisë së Kosovës në mbrojtje të integritetit territorial por edhe në funksion të gjeostrategjisë euroatlantike kundër grupit agresionist që provoi të instalonte një kryengritje. E Serbia bëri të kundërtën: shpalli tre ditë zie për ata që u vranë në aktet terroriste. Në fakt, kjo nuk është befasi, sepse Serbia gjithnjë politikisht i ka glorifikuar kriminelët si heronj, dhe kështu bën edhe tash. Më këtë dëshiron ta infektojë popullin serb përgjithësisht, se shovinizmi edhe kur arrin në shkallë terrorizmi duhet të përkrahet e të konsiderohet si akt heroik. Për më tepër, ky glorifikim i inkurajon të tjerët, sepse shteti serb po i përkrah dhe po i vlerëson në rangun e heronjve, ani se, ç’është e vërteta, ata janë pseudo heronj. Dhe gjyqi ndaj Radojçiqit nxori faktin se politika e Beogradit qëndron pas Radojçiqit: edhe pse ai pranonte se ishte pjesëmarrës në vrasjen e policit Afrim Bunjaku, ai lihet i lirë, ashtu si edhe agresionistët e tjerë.
E kam shkruar edhe më herët, se çështja e minoritetit serb në Kosovë është çështje politike dhe vetëm politika mundet të ofrojë zgjidhje. Këtë ishte duke e arritur më shumë sukses Beogradi, pasi që kishte arritur ta fuste nën hipnozën e mashtrimit Perëndimin, e duke menduar se i hipnotizoi deri në manipulim – do të tolerohej edhe organizimi i një lufte aneksionuese me të cilën synonte të shkaktonte një çarje të gjeopolitikës euroatlantike dhe kjo nuk ka gjasa të tolerohet.
Me këto veprime Vuçiq u tregua, ashtu sikurse ishte në të vërtetë, një politikan të cilit nuk duhet aspak t’i besojë Perëndimi, në asnjë rrethanë. ShBA, Britania e Madhe e Gjermania, por besoj edhe BE dhe NATO, nuk duhet t’i besojnë më Vuçiqit ashtu sikurse nisën t’i besojnë sidomos gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

*
Pastaj, dislokimi i forcave luftarake serbe përgjatë kufirit të Kosovës nuk ishte aspak rastësi. Përkundrazi. Ajo ishte paralajmëruar nga shumë anë e sidomos nga banderolat e sponsorizuara “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”. Pra, po trumbetohej hyrja invaduese. Ushtria ishte lëvizur pa zhurmë, disi në fshehtësi, dhe ishte vendosur përgjatë kufirit me Kosovën.
Serbia kalkuloi gabim. Sepse siguria e Kosovës i ka tre aktorë veprimi: policinë e Kosovës, EULEX-in e pastaj edhe KFOR-in. Natyrisht, sikurse e tha KFOR, këto veprime nuk janë të ndara, por ndërvepruese. Në aksionin e policisë në shpërbërjen e grupit , prezent ishte edhe EULEX e edhe KFOR, në cilësinë e vëzhguesit, por edhe të gatshëm për të intervenuar po qe se aktori i parë (policia e Kosovës) nuk do të kishte sukses. (Me gjithë këtë mbikëqyrje ndërkombëtare dhe Serbia nuk pushon propagandë të gjithfarshme për ta përmbysur të vërtetën, po mund të mendohet se sikur të mos ishin EULEX dhe KFOR se si do ta bombardonte Perëndimin Serbia me dezinformata, gënjeshtra e terror të trilluar.)
Vuçiq po e përdor tash Radojçiqin për të spastruar Serbinë nga involvimin, sikur gjoja gjithçka është bërë përmes kontrabandimit nga Bosnjë-Hercegovina. Por dokumentacioni i kapur me rastin e shpërbërjes së grupit tregojnë se furnizimi ishte bërë nga ushtria serbe. Pastaj, automjeti ushtarak Humvee, që amerikanët ia dhuruan ushtrisë serbe, si ra në duart e grupit agresionist? Atij i janë dhënë këto, se nuk ka pasur ndryshe se si t’i merrte ato kur ishin në posedim të ushtrisë. Pastaj tabelat KFOR, për të mashtruar popullatën gjoja se janë pjesëtar të KFOR-it. Sigurisht, ende ka shumë të dhëna që mungojnë dhe detajet ndoshta kurrë opinioni nuk do t’i mësojë, por ato i dinë me saktësi ShBA, Britania e Madhe dhe Gjermania, por edhe NATO dhe BE.
Të gjitha këto, janë fakte kokëforta, ashtu sikurse edhe janë xhirimet nga dronët e konfiskuara te M. Radojçiqit, ku shihen stërvitjet dhe përgatitjet për aksione masive. E shtoji kësaj edhe armatimin masiv, që asnjë guerile e vërtetë nuk do të mund t’i kishte që në fillim po qe se nuk do të mbështetej nga shteti. UÇK-ja as pas një viti të ekzistencës së saj nuk kishte një armatim dhe mjete të tilla, sepse nuk kishte asnjë mbështetje ushtarake nga asnjë shtet.

*
Duket se Kosova ka pasur informacione paraprake (le të sillet ndërmend se tre muaj më parë G. Escobar kishte dhënë alarmin se veriu mund të kthehej në “një konflikt rajonal”, kurse A. Kurti i tregonte ShBA gjëra që ajo nuk i dinte se nuk ka gjasa për një konflikt rajonal!). Por, organet e sigurisë ndryshe i shohin gjërat, ndaj dhe nuk u zu në befasi Kosova, po veproi me shpejtësi. Përderisa politika po tallej me ShBA, organet e sigurisë ishin në krye të detyrës, sepse ua imponon natyra e punës që të nuhasin rrezikun dhe t’i kapin informatat mbi rrezikun. Prandaj, është gabim të thuhet se ra Banjska e u pa se kush janë aleatët e vërtetë të Kosovës; kjo mund të vlejë: për ata që nuk e kanë ditur për shkak të padijes së vet. Kushdo që ka pasur dyshime te ShBA se mos ka ndryshuar anë e kishte gabim, pasi që gjeopolitika euroatlantike e ShBA ishte e tillë nga fillimi dhe zhvillimet që pasuan, sidomos me sulmin rus ndaj Ukrainës, vetëm sa e përforconin aleancën e ShBA me Kosovën. Vazhdimisht e kanë theksuar ambasadori J. Hovenier, emisari G. Escobar dhe personalitete të tjera nga Departamenti amerikan i Shtetit se ShBA nuk bën asgjë që do të dëmtonte Kosovën, dhe kjo kishte një bazë të fortë: çdo dëmtim i Kosovës në aspektin shtetëror ishte dëmtim njëkohësisht i gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë amerikane dhe euroatlantike, dhe do të ishte një mjet në duart e Serbisë dhe veglave të saja kundër Kosovës po se po por edhe kundër gjeostrategjisë euroatlantike e në funksion të gjeopolitikës ruse – sa herë që kjo t’i duhej.
Por këmbëngulja amerikane, britanike dhe gjermane për tërheqjen e ushtrisë serbe nga kufiri i Kosovës dhe për dënimin e aktit terrorist – do të duhet t’u kenë hequr dilemat të gjithë skeptikëve, dyshuesve dhe atyre që mendonin (krejt gabimisht) se ShBA po e dëmton Kosovën në ndonjë mënyrë. Kushdo që, për çfarëdo shkaku, mendon të mos bashkërendohet në çdo detaj dhe për gjithçka me ShBA – bën gabim në dëm të Kosovës. Sjellje të tilla në emër të Kosovës nuk është dashur të ndodhin asnjëherë, por më nuk guxojnë më të përsëriten.
Pas një periudhe thuaja dy vjeçare me politikë reaktive, momentumi i krijuar më 24 shtator sugjeron se diplomacia kosovare duhet të shndërrohet në proaktive. Politika e jashtme duhet të fokusohet për të kërkuar nga faktori ndërkombëtar që t’i ekstradojë në Kosovë grupin agresionist që ikën në Serbi; të kërkojë përgjegjësi për furnizimin me armatim ushtarak nëntokës së inkriminuar në Kosovë; të kërkohet më këmbëngulje që Serbia të mos ndërhyjë as drejtpërdrejt e as në ndonjë mënyrë në çështjen e minoritetit serb duke argumentuar se është Beogradi zyrtar ai që ka nxitur e orkestruar protestat pa asnjë bazë kundër policisë së Kosovës e KFOR-it, por edhe që të heq dorë nga mbështetja e forcave paramilitare serbe në Kosovë, si dhe përgatitjen e tyre të mëtutjeshme për aksione e. Duhet t’i kërkohet përgjegjësi Vuçiqit dhe qeverisë serbe që ka penguar dhe po vazhdon ta pengojë minoritetin serb që të integrohet në jetën kosovare, në lirinë si të gjitha minoritetet e tjera dhe që ata të integrohen në sistemin dhe shoqërinë kosovare si qytetar dhe shtetas të Kosovës.
Nga e tërë kjo që ka ndodhur, Kosova duhet të ketë mësuar se vetëm kur bashkërendohet me ShBA, edhe kur duket se po i del keq, në të vërtet është e vetmja mundësi për ta shmangur të keqen. Ne duhet të jemi fatlum që Kosova ka një mbështetje kaq të fortë të ShBA-së, dhe që fati na ka vënë në sferën amerikane dhe të gjeopolitikës euroatlantike.

*
Perëndimi, e sidomos ShBA, Britani e Madhe dhe Gjermania, ashtu si edhe shumë vende të tjera të BE-së dhe të NATO-s, duhet të ndalen dhe ta rimendojnë politikën dhe qëndrimet ndaj Vuçiqit. Më qartë se kaq nuk ka se si të tregohet se ai është në gjendje t’ua ngulë thikën pas shpinës, se nuk mund t’i besohet, se ai do t’ua hedhë gjithherë aty ku më së pakut e presin. Duhet t’i vihen vijat e kuqe, si sa i përket gjeopolitikës euroatlantike, ashtu edhe ndaj ndërhyrjeve në Kosovë. E kam thënë më herët, se përpjekja për ta integruar Serbinë në gjeopolitikën euroatlantike është e dobishme edhe për Kosovën, gjithsesi në çdo rrethanë, por 24 shtatori tregoi se me shovinizmin dhe ideologjinë antiperëndimore të Vuçiqit – kjo është e pamundur të arrihet. Besoj tash Perëndimi, përfshirë edhe BE-në, duhet t’i vendosë sanksione Serbisë, përndryshe, nëse kjo nuk ndodhë, nga Beogradi kjo do të interpretohet si tolerim për një front të dytë luftë proruse kundër BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Paderbronit në Gjermani, Florent Muslija në “Instagram”, më…