Strategjia e shërbimit sekret serb për ta shkatërruar strukturën e UÇK-së pas vitit 2000 e këndej (2)
Faton B. MEHMETAJ
Shërbimet sekrete serbe dhe njësitë e tyre në Kosovë e kanë arritur edhe një qëllim tjetër, ripushtimin e pjesës veriperëndimore të vendit, në të cilën e vendosën edhe administratën paralele e cila, si e tillë, funksionon edhe sot e kësaj dite. Pas ripushtimit të kësaj pjese shërbimet sekrete serbe, gjithmonë në koordinim me strukturat e tyre që veprojnë në Kosovë, e kanë filluar ofensivën e dytë të ripushtimit të Kosovës edhe në disa pjesë të tjera, fillimisht përmes asociacionit të komunave e ngjashëm. Ka 20 vjet që shqiptarët e paguajnë rrymën që e shpenzon minoriteti serb në Kosovë, edhe pse shumica prej tyre nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
Ky është një dhunim i të drejtave të qytetarëve të Kosovës nga BE-ja dhe qeveritë e Kosovës. Enklavat me shumicë serbe po rikonsolidohen në pjesë të ndryshme të Kosovës për projektin e ri të okupimit të pjesëve tjera për t’i avancuar nga administrata e Kosovës. Kjo është e mundshme sepse ndërkombëtarët haptazi po i mbështesin planet serbe për ta dëmtuar procesin e zhvillimit të shtetit të Kosovës. Ky ndikim kaq i madh i shërbimeve serbe por edhe i qeverisë së Serbisë në Kosovë e ka rrezikuar qe 20 vite rresht funksionimin e rendit kushtetues në Kosovë.
Shpesh herë u vranë minoritarët serb nga anëtarët e organizatave të fshehta serbe, me qëllim që këto veprime t’ua lënë shqiptarëve, për të arritur efekte politike në instancat ndërkombëtare, për ti paraqitur shqiptarët e Kosovës por edhe institucionet e saj si të pa afta për ta udhëhequr shtetin. Fatkeqësisht në gjithë këtë katrahurë që po ndodhë me vendin tonë, më e keqja e kësaj pune është se po mungojnë edhe deklaratat e ekspertëve të klasës politike kosovare për ti denoncuar këto veprime që janë tepër të dëmshme për Kosovën. Nuk janë të pakt as personat kosovar qe i marrin dy paga, një nga Serbia e tjetrën nga buxheti i Kosovës, por edhe që kanë marrë shtetësinë dhe dokumentacionet e Serbisë. Faktikisht kjo është e drejt e tyre, por është edhe solidarizim me qeverinë e Serbisë. Nga këta njerëz mjaft prej tyre kanë pozita në institucionet e Kosovës.
Pas tërheqjes së forcave paramilitare, policore e ushtarake serbe nga Kosova, UNMIK-u e kishte përgjegjësinë për ti punësuar njerëzit në administratën e Kosovës por dhe në vende tjera me përgjegjësi. Ata për ti pamundësuar pjesëtarët e UÇK-së që të punësohen nëpër vende të ndryshme të punës, e vunë si parakusht, se për tu punësuar, kërkoheshin 7 vite përvojë pune. Pra prioritet kishin strukturat e ish-sistemit. Që nga viti 2000 e deri sot jo pak njerëz të punësuar në Kosovë, diplomat e fakulteteve i kanë nga Serbia. Respekt për gjeneratat ma të vjetra që janë shkolluar në Beograd, por fjala është për këta pas vitit 2000 që u shkolluan në Beograd dhe sot kanë pozita të ndryshme në shoqërinë kosovare.
Sidoqoftë kualifikimi kudo që të merret e ka vlerën e vet, por është i pa justifikueshëm një veprim i tillë. Sipas disa statistikave tashmë të bëra publike, mbi 43 mijë shqiptarë kanë punuar për shërbimet sekrete serbe. Kjo klasë e shoqërisë në bashkëpunim edhe më shërbimet sekrete serbe dhe klasën politike të Serbisë në të gjitha proceset e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë bënë trysni tek bashkësia ndërkombëtare në dëm të Kosovës duke i dështuar e zvarritur këto procese deri në ditët e sotme. Kjo do të thotë se spiunazhi serb është i infiltruar thellë në aparaturën e shtetit të Kosovës,e nëse nuk vihet nënë kontroll paraqet rrezik të madh, dhe sa më shumë të zvarritet ky problem, aq më vështirë riparohet. Sikurse në vitin 1981, 1990, 1999 e edhe sot, shërbimet sekrete i kanë goditur dhe i godasin strukturat kundërshtare të tyre që janë klasa e veprimtarëve politik, të burgosurit politik, luftëtaret, deputetët e ndërgjegjshëm, strukturat e sigurisë, por edhe popullin që i përkrahin këto struktura.
Projekti i shërbimeve sekrete serbe për ti kundërshtuar këto shtresa nuk ishte i kotë por mirë i organizuar, gradualisht i ka arritur efektet e veta. Akuzat, shpifjet, gënjeshtrat dikur nuk kishin ndonjë peshë të madhe, por tani janë bërë “argumente” për ti goditur çlirimtarët. Kurse Serbia dhe bashkëpunëtorët e tyre pos që nuk u ndëshkuan morën privilegje. Si ka mundësi që mbi pesë mijë të zhdukur shqiptar të gjenden në territorin e Serbisë, e gjyqësia ndërkombëtare dhe vendore të heshtin, duke e lënë këtë problematikë kaq të madhe të trajtohet si “çështje teknike” e Beogradit, të cilën e përdorën ata për presione politike. Në anën tjetër nuk u gjurmuan fare një numër jo i vogël i kriminelëve serbë, që figuronin në listat e të zhdukurve pas luftës, duke qenë të njoftuar saktë me dëshmitë e dhëna në UNMIK kundër tyre dhe duke e ditur se një ditë mund të ndiqen penalisht si të dyshuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, sapo janë vendosur diku në Serbi, e kanë ndërruar identitetin dhe janë shpallur të zhdukur në Kosovë.
Ata (shërbimet serbe) i shfrytëzuan dobësitë e pushtetarëve të Kosovës, mospërvojën e tyre në pushtet, lakminë për pushtet e dobësitë tjera, përmes të cilave i goditen këto struktura në shumë dimensione, duke e bërë edhe shpërqendrimin e një pjese të popullatës prej tyre. Shërbimet sekrete serbe e përdorën këtë shpërqendrim dhe mospërfillje për ti izoluar shtresat politike të cilat kishin dalë nga UÇK-ja. Ky mekanizëm i njerëzve kaq të fuqishëm,përmes shqiptarëve të “ndershëm”, kohë pas kohe u bënë gjyqe udhëheqësve të UÇK-së. Dhjetëra herë veteranët e Serbisë dhe pse kishin bërë me qindra krime në Kosovë i kishin mërsyer pikat kufitare Kosovë-Serbi në shenjë kërcënimi e presioni ndaj shtetit të ri të Kosovës. Kjo tregon se shërbimi sekret serb dhe njerëzit e tyre i përdornin të gjitha mekanizmat për ta shkatërruar këtë shtresë të njerëzve. Faktikisht këto mekanizma ekzistonin edhe më herët si pjesë e shërbimeve sekrete serbe.
Nga viti 1981 e deri në vitin 1900 ekzistonte Sektori i VIII i ShSSH-së në Kosovë i cili ishte i ngarkuar për vrasjen dhe likuidimin e terroristëve shqiptarë, (bëhet fjalë për shtresën patriotike te shqiptarëve), e ky sektor pas vitit 1990 zëvendësohet me Drejtorinë e 6-të, sektor ky që shërbente për likuidimin e kundërshtarëve politik të Serbisë. Këto shërbime për një kohë i përdorën maksimalisht tipat anacional për veprime kriminale kundër bashkëkombëseve të vet, me qëllim të paralizimit të veprimtarisë patriotike të grupacioneve në Kosovë, shtuan presionet e shantazhet ndaj klasës progresive, i shkatërruan gradualisht institucionet arsimore e kulturore duke mos i lënë anash as ato fetare e informative. Përdorën të gjitha mjetet e mundshme për ta forcuar dhe bërë të qëndrueshëm rrjetin e spiunazhit në Kosovë duke përfshirë këtu Shqipërinë dhe diasporën. Ata me kohë arritën ta inkorporojnë një celulë të tyre në radhët e UÇK-së. Me ndihmën e tyre arritën ti zbulojnë grupet e para që kishin shkuar për të trajnuar për operacione luftarake në Shqipëri si dhe zbuluan dhe arrestuan grupin e Nait Hasanit me shokë që konsideroheshin drejtuesit e UÇK-së.
Pas kësaj, në disa prita, shërbimi sekret serb arriti ti vret drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si: Luan Haradinajn në kufirin Kosovë-Shqipëri, Adrian Krasniqin në një aksion në Kliqinë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha në një pritë të organizuar në Pestovë. Organizuan sulmin mbi familjen e Adem Jasharit dhe Hilmi Haradinajt si dy vatra që kishin marrë organizimin dhe masivizimin e UÇK-së, por edhe goditën kudo strukturën e guerilës shqiptare të UÇK-së. Kjo ishte një goditje e fortë që i ndodhi UÇK-së. Gjatë luftës u bënë tendenca që të krijohen dy krah ushtarak në Kosovë, por edhe u sabotua hapur furnizimi me armatim i UÇK-së.
Shërbimi sekret serb kishte arritur t’i futë bashkëpunëtorët e vet edhe brenda grupeve që ishin trajnuar në Shqipëri. Ky shërbim përmes lidhjeve të veta, kishte arritur që ta siguronte listën e personave që ishin trajnuar në Shqipëri nga radhët e UÇK-së. Sigurisht që ata i kanë infiltruar burimet e tyre në këtë organizim sepse pjesëtarët e UÇK-së që morën pjesë në ushtrime në Shqipëri ishin të dekonspiruar dhe se shërbimet sekrete serbe ishte në njohuri të plotë për veprimtarinë e tyre dhe krejt procesin e trajnimit që ishte kryer atje. Siç është bërë edhe publike, shërbimi serb kishte të dhëna të detajuara për trajnimin në Shqipëri, ata dinin edhe numrat e armëve të tyre që i kishin gjatë trajnimit.
Lidhjet që i kishte instaluar shërbimi sekret serb brenda këtij grupi e kanë denoncuar edhe Adem Jasharin duke treguar për të sasinë e armatimit dhe numrat e armatimit. Shërbimi sekret serb nuk e kishte ndërprerë veprimtarinë e vet as më vonë kur UÇK-ja ishte legalizuar dhe bënte përgatitje për të hyrë në Kosovë. Bazuar në deklarimet publike të disa pjesëtarëve të shërbimit sekret të zbulimit dhe kundërzbulimit të ish-Ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, gjatë punës dhe operimit të tyre në Shqipëri, ata kishin gjetur fakte e të dhëna të bollshme se agjenturat serbe kishin arritur të futen brenda njësive të UÇK-së dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ata kanë cekur se këto struktura kishin depërtuar në njësitë tona që operonin në Shqipëri. Pos kësaj shërbimi sekret serb kishte arritur ta sabotonte luftën në Kroaci që drejtohej nga njësitë ushtarake që përbëheshin prej shqiptarëve nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës. Edhe ky projekt ishte pjellë e shërbimeve ushtarake serbe që solli pasoja të mëdha. Njësitë operacionale serbe që i organizuan këto veprime ishin po ato që e bënë suspendimin e autonomisë së Kosovës, përçarjen e kuadrove politike të kohës dhe shkatërrimin e institucioneve në atë kohë paralele të Kosovës. Pothuajse të gjitha aktivitetet dhe lëvizjet politike të kohës ishin bërë objekt i përcjelljes dhe i përpunimit sistematik.
Në vitet 90-ta kreu i shërbimit informativ serb, Ivica Stanishiq i kishte takuar personalisht një pjesë të mirë të parisë së Kosovës. Shërbimet sekrete serbe ishin mirë të informuara, kishin siguruar kontakte e burime kudo. Ata, me qëllim që t’i monitorimin dhe kontrollonin grupet ilegale por edhe strukturën e UÇK-s në përgjithësi, kishin infiltruar dhe rekrutuar brenda radhëve të UÇK-së rreth 140 persona, kjo shifër është bërë edhe publike si e tillë. Këta persona i shërbyen shërbimeve sekrete serbe, gjatë luftës dhe pas mbarimit të saj. (Vijon)