Strategjia e shërbimit sekret serb për ta shkatërruar strukturën e UÇK-së pas vitit 2000 e këndej (3)

14 maj 2021 | 12:39

Faton B. MEHMETAJ

Bazuar në disa shifra që janë bërë edhe publike, diku 700 persona nga Kosova janë pjesë e shërbimeve sekrete serbe dhe të sigurisë, përfshirë këtu edhe serbët e Kosovës që janë të rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe zyrtarisht. Prej tyre, sigurisht që ka edhe të tillë që punojnë në administratën e Kosovës, madje edhe në pozita të mëdha shtetërore. Një numër jo i vogël që kanë punuar në administratën e qeverisë së Millosheviqit punojnë edhe në administratën e Kosovës, në pozita të lakmueshme.

Sigurisht ndokush prej tyre që punon për shërbimet sekrete serbe këtë punë e kryen me komoditet, i mbrojtur nga shteti i ri i Kosovës, konkretisht nga njerëzit e shërbimeve serbe që janë pjesë e institucioneve të Kosovës. E di që ka qenë kërkesë parlamentare e komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së që të merren iniciativa për t’i zbardhur këto raste, por kjo kërkesë është neglizhuar vazhdimisht edhe nga EULEX-i, KFOR-i dhe shërbimet e sigurisë së Kosovës.

Lidhur me këtë, një gjë është vërtetuar, inkorporomi i këtyre strukturave nëpër institucionet e Kosovës e ka shkatërruar progresin dhe zhvillimin e vendit, për shkak se ata e sabotojnë dhe neglizhojnë ç’do gjë që lidhet me progresin e Kosovës. Puna e shërbimeve sekrete serbe kundër strukturës së UÇK-së, me kalimin e kohës filloj të japë rezultate, dezinformatat që i lansonte rrjeti i BIA-s dhe bashkëpunëtorëve të tyre kundër UÇK-së u bënë pjesë e vetëdijes sonë të përditshme. Goditjet e pareshtura të shërbimit sekret serb mbi shtresën e UÇK-së arritën që gradualisht ta bëjnë neutralizimin politik të tyre në politik bërjen e Kosovës. Gradualisht strukturat e njerëzve anti-UÇK filluan të rriten dhe të dalin hapur me shpërfaqjet e tyre, shpesh herë edhe pa të vetmen arsye.

Gati të njëjtat struktura që sot trumbetojnë kundër UÇK-së, trumbetonin më herët idetë e Millosheviqit se me suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe Kushtetutës së Kosovës nuk humb asgjë populli i Kosovës. Në këto kohëra u dënuan mbi 380 persona në ushtrinë jugosllave vetëm pse ishin shqiptar. Përmes këtyre presioneve por edhe metodave tjera represive Beogradi pretendonte që ti zhvishte shqiptarët prej ç’do lloj pushteti, para aprovimit të kushtetutës së re të Serbisë. Akuzat ndaj shqiptarëve nuk pushuan, kështu ndodhi edhe më rastin e akuzave të “Shtëpisë së Verdhë” në malet e Kukësit, si një “poliklinikë” në të cilën gjoja janë kryer transplantime të organeve njerëzore. Ky trillim për herë të parë u lansua nga Carla Del Ponte, në librin e saj autobiografik me titull “Gjuetia-Unë dhe Kriminelët e Luftës”. Këto akuza ishin projektuar fillimisht në laboratorët e shërbimit sekret serb për ta goditur UÇK-n, gjithmonë sipas planit të shërbimeve serbe. Këtë të dhënë e vërteton edhe Ish-bashkëpunëtorja e ngushtë e Del Pontes, Geoffrey Nice.

Ajo ka cekur në dëshmitë e saj se Carla Del Ponte krye në vete i ka ngritur aktakuzat kundër shqiptarëve. “Këtë nuk e ka bërë pse ka pasur fakte, por për të tërhequr paralele për barazimin e krimeve, për t’ia bërë qejfin Serbisë apo “për të mos iu hidhëruar Millosheviqi”. Dhe për këtë i ka pasur duart e lira, pa mbikëqyrje as nga Haga as nga Nju Jorku. “Carla Del Ponte ka ndihmuar për t’i fshehur implikimet e shtetit serb në krimet e luftës. Punën e saj nuk e ka kontrolluar askush, as në Hagë as në Nju Jork, që është diçka e paimagjinueshme për drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë ish-prokurori Nice. Kështu ndodhi edhe me akuzat e ngritura rreth “Shtëpisë së Verdhë”, Florence Hartmann, po ashtu ish-bashkëpunëtore e afërt e Del Pontes, kishte cekur se, në atë kohë, me akuza që nuk u argumentuan kurrë të cilat i kishte bërë ish-kryeprokurorja e dështuar e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, se shqiptarët e Kosovës kanë nxjerrë dhe trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë, Florence Hartmann i ka quajtur “të papërgjegjshme dhe jodinjitoze”.

“Del Ponte nuk ka as provën më të vogël për një trafik të mundshëm organesh që u janë marrë të burgosurve nga luftëtarët e Kosovës. Ajo po na zhyt sot në orët më të errëta të propagandës”, ka nënvizuar Hartmann, për gazetën zvicerane “Le Temps”, të datës 16 prill 2008. Të dhënat e paraqitura në këtë libër ishin krejtësisht absurde dhe dukeshin hapur që kishin vetëm një qëllim, njollosjen e strukturës së UÇK-s në arenën ndërkombëtare që serbët e arritën përmes Carla Del Pontes. Madje ajo në një intervistë të dhënë më herët për “Ora News”, vë në pikëpyetje edhe ekzistencën e Kosovës si shtet, që është edhe një sinjal apo dëshmi tjetër që ajo e përfillë dhe është e ndikuar nga politika e qarqeve serbe dhe është lobiste e paguar e nomenklaturës së vjetër të patriotëve serb. Disa vite pas, në mënyrë krejt klandestine, bashkëkombësi i Del Pontes, Dick Marty hartoi një raport me të cilin denoncoi UÇK-në për “transplantim” dhe “trafikim organesh njerëzore” në Këshillin Evropian që rezultoi me themelimin e Gjykatës Speciale me një fond prej 350 milionë dollarësh. Gjykata Speciale u formua për pjesëtarët e UÇK-së mbi bazën e “Shtëpisë së Verdhë”, akuzë kjo që ra pasi u arrit qëllimi ndaj UÇK-së, por u harruan mbi 3000 autoritete komanduese ushtarako-policore serbe që kanë kryer krime në Kosovë. Prej këtyre 1000 kanë qenë në pozita të larta komanduese si gjeneralë, kolonelë, majorë etj. Këto të dhëna janë të konfirmuara edhe nga Natasha Kandiqi.

Këtu duhet përmendur dëshmitë e Ushtarakut norvegjez Josef Martinsen, autor i dy librave për luftën në Kosovë (“Puset e Vdekjes” dhe “Çka ngjau në Kosovë, 1998-1999”), që menjëherë pas luftës në kuadër të misionit ndërkombëtar (UNMIK) ka asistuar në projektin e nxjerrjes së kufomave të shqiptarëve nga puset (bunarët). Ai është njëri nga ata që dëshmon me fakte se Serbia kreu gjenocid në Kosovë, por UNMIK-u, arriti t’ia heqë këtë njollë Serbisë, duke i fshehur gjurmët e krimeve masive dhe individuale ndaj shqiptarëve. Shumë prova u fshehën dhe u pengua grumbullimi i të tjerave nga UNMIK-u. Ai deklaron se shqiptarët nga dikur viktima, propaganda serbe dhe ajo e UNMIK-ut, ndikuan që Perëndimi të fillojë t’i shohë shqiptarët si viktimizues e serbët si viktima. Skenari kryesor u realizua nga UNMIK-u nëpërmjet fshehjes së provave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Dhe për këtë askush nuk kërkoi llogari deri më sot. Dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje ajo ka shkuar edhe më larg, duke i përdorur të gjitha mjetet për t’i shkatërruar dëshmitë që do të argumentonin gjenocidin serb në Kosovë.

Me kalimin e kohës dhe pas hetimit të Tribunalit të Hagës, UNMIK-ut dhe EULEX-it, në pamundësi për të gjetur prova e fakte, madje të gjithë këta bashkë nuk kanë mundur ta sigurojnë një provë të vetme, sepse i gjithë rasti ishte trillim i romanit të Carla Del Pontes, “Gjuetia-Unë dhe Kriminelët e Luftës”, rasti u mbyll, por që nga viti 2004 e deri në vitin 2010, ky rast edhe pse i rrem dhe i trilluar kishte ndikuar shumë negativisht në imazhin e shtetësisë së Kosovës, sepse mbi këto akuza ishin bërë mijëra shkrime, qindra reportazhe, raporte në Këshillin e Sigurimit, hetime të dhjetëra e dhjetëra rasteve e njerëzve që janë imagjinuar të kenë lidhje më këtë rast. Edhe pse kjo akuzë u devalvua dhe si e tillë u hodh në koshin e mbeturinave, dëmet Kosovës iu bënë të mëdha. Serbia përmes kësaj akuze e zhvendosi vëmendjen e krimeve të luftës mbi strukturën e UÇK-së, duke e amnistuar veten për krimet e tmerrshme që ajo i kishte kryer në Kosovë dhe territorin e ish-Jugosllavisë. Pos kësaj, përmes kësaj akuze, Serbia e zhvendosi edhe vëmendjen e akuzave për transplant të organeve në spitalet e VMA-s që ishin bërë në spitalet ushtarake të Serbisë në një “Shtëpi” të imagjinuar, në “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri. Përmes kësaj historie krejtësisht imagjinare nga dy zyrtar të lartë evropian, Del Pontes, drejtuese e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës dhe Dick Marty, senatorit zviceran, i përdorën pozitat e tyre zyrtare për interesa të Serbisë të ndikuar nga diplomacia dhe shërbimet sekrete serbe, arritën ta njollosi strukturën e UÇK-së në nivelin ndërkombëtar me qëllim të shkatërrimit dhe zbehjes së imazhit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë projekt ishte i përfshirë edhe zyrtari i OKB-së, peruani Jose-Pablo Baraybar, i cili ka udhëhequr shumë kërkime në Kosovë, është paditur nga familjarë të viktimave në Kosovës për eksperimentimin pa autorizim të mbetjeve mortore të mbi 400 viktimave të luftës. Kallëzimi penal ndaj tij është ngritur në vitin 2006 por UNMIK-u nuk jep asnjë detaj për këtë situatë as sot. Përmes këtyre akuzave Serbia arriti qëllimet e veta, duke i vënë në lajthitje dy njerëz më kredibilitet ndërkombëtar.

Ky është një tregues i qartë se Kosova u çlirua nga terrori i luftës konvencionale serbe në qershor të vitit 1999, me luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e NATO-s, por nuk u çlirua nga terrori i luftës speciale të shërbimeve inteligjente të BIA-së dhe KOS-it. Ata në këtë luftë të ndyrë kundër UÇK-së, paguan shumë media vendore, rajonale e ndërkombëtare, organizuan një fushatë të tmerrshme kundër UÇK-së duke i shfrytëzuar mjetet e komunikimit masiv, librat e shumta, kinematografinë dhe diplomacinë, duke e bërë për vete edhe një pjesë të opinionit të brendshëm në Kosovë, arritën që ta ngujojnë dhe ta kryqëzojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Gjatë gjithë kohës, deri më sot, shërbimet sekrete serb nuk e kanë ndalur punën e vet për asnjë çast në luftë për ta njollosur, komprometuar e shkatërruar strukturën e UÇK-së. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i Universitetit të Prishtinës dhe njohësi i çështjeve politike,…