Streha e quajtur “paladuk”

11 nëntor 2024 | 15:52

Është botuar drama e dramaturges, regjisores dhe profesoreshës Albana Muja, me titull “Paladuk”, nga shtëpia botuese “Armagedoni”, subvencionuar për botim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për librin një parathënie ka shkruar dramaturgu dhe skenaristi Arian Krasniqi, të cilën mund ta lexoni më poshtë:

Streha e quajtur paladuk

Albana Muja i takon atij brezi të dramatisteve dhe skenaristeve që përgjatë viteve të fundit ka lënë shenja të dukshme në krijimtarinë teatrore dhe filmike. E njohur si autore e disa dramave për fëmijë dhe të rritur, Muja para lexuesve teatërbërës dhe teatërdashës vjen me veprën dramatike “Paladuk”. Në këtë rast autorja veprës i jep përkufizimin e ndarjes zhanrore, duke e quajtur dramë. Kjo dramë e Mujës është e konceptuar, ideuar dhe strukturuar në një mënyrë interesante me një temë provokuese. Struktura e rrëfimit dramatik, me përmbajtje të skenave dhe situatave, në këtë vepër, në shumë dimensione, është jashtëkonvencionale. Pra, autorja përpiqet që, nëpërmjet gjetjeve ideore, tema­tike, si dhe ndërtimit dhe zhvillimit të skenave drama­tike, të largohet nga klishetë, stereotipat, por edhe nga përsëritja e së zakonshmes në vepër.

“Paladuk” është dramë me katër personazhe, tri prej tyre aktive në kuptimin e veprimit skenik dhe foljor, dhe një më pasiv. Kur jemi te struktura e modelimit të karaktereve, Muja zgjedh që emërtimin e tyre ta bëjë jo me emra të plotë, por me shkronja. Pra, këtu persona­zhet kryesore, bartëset e veprimit në vepër, janë shkro­nja: A dhe Z – dy gra në të tridhjetat. Emërtim pak më i plotë i është vënë personazhit të tretë për nga rëndësia, Zonjës Gri. Ndërsa personazhi i fundit, i katërti, që është thuajse pasiv, në kuptimin e veprimit dramatik, është Regjisori. Drama e personazheve në këtë vepër zhvillohet thuajse tërësisht në raportet ndërmjet A-së dhe Z-së. Vendndodhja e tyre, marrëdhënia që ato kanë dhe që i ndërtojnë e zhvillojnë në ndërkohë, është thelbi i idesë mbi të cilën e mbarështron tërë veprën e saj dramatike Albana Muja.

Ngjarja në këtë dramë ndodh në një vend të veçantë, e cila nuk zbulohet deri në fund, në një strehimore të paemërtuar, që herë-herë të asocion me spitalin psiki­atrik, por që kjo vendndodhje prapë merr kthese drama­turgjike, kur në skenën e fundit del për t’u përshëndetur me publikun, personazhi Regjisor. Vargu i kthesave dramatike, në strukturën e kësaj vepre, është i gjatë, i ndërlidhur dhe i thurur me gjetje skenike të motivuara, me veprime të personazheve që e bëjnë veprën në fjalë të përjetohet shumanshëm. Në këtë mënyrë, “Paladuk”, me ngjarjen kryesore, si dhe me situatat e saj skenike, mund të përjetohet nga lexuesi e shikuesi si një dramë psikologjike e personazheve që jetojnë në kufijtë ekzi­stencialë, emocionalë dhe psikologjikë. Në këtë mënyrë dramatistja Muja në mënyrë të suksesshme luan me situatat ekstreme emocionale dhe psikologjike, me ç’rast personazhet e saj bartin peshën e rëndë të dramës së tyre shpirtërore.

A dhe Z, në rrethanat në të cilat veprojnë, derisa janë duke bërë provat e fundit të një shfaqjeje teatrore, për­shfaqin karakteristika të shumanshme të personalitetit të tyre. Ato nuk janë thjesht në kërkim të ndërtimit të rolit të tyre në shfaqje të cilën janë duke e përgatitur, por lëshohen e lundrojnë në një aventurë dramaturgjike dhe dramatike, të njohjes së vetvetes në rend të parë, por edhe të njëra-tjetrës, së dyti, si dy gra që kanë his­tori të veçanta, për të treguar dhe rrëfyer në mënyrë skenike. Jeta e tyre është dramë. Kjo dramë mund të lehtësohet vetëm nëse flitet, rrëfehet e luhet para të tjerëve. Natyrisht, gjithmonë e gjithherë nëse ka kush t’i dëgjojë!?. Në kuptimin e përfaqësimit simbolik, A dhe Z, në këtë vepër, janë sinonim i fateve të panu­mërta të shumë vajzave dhe grave, brenda dhe jashtë vendit tonë, të cilat, në përpjekje për t’i ndërtuar ënd­rrat e tyre, përfundojnë në përballje me dramën e tyre të vërtetë, atë që gjallon e gërryen pamëshirshëm brenda botës së tyre të padukshme. Në këtë kuptim, tematika që trajtohet në dramën e Mujës është universale, sepse i kalon kufijtë e individuales dhe nacionales. Me fjalë të tjera, fati i dy grave të kësaj vepre prek horizontet e universalitetit, sepse mund të gjejë receptorë lexuesish e shikuesish gjithandej rruzullimit. Pak ka rëndësi nëse A dhe Z janë aktore profesioniste, apo entuziaste, apo edhe ish-aktore. E rëndësishme është se në këtë dramë ato veprojnë si dy personazhe të mbushura me plot pasion, dashuri, mllef dhe urrejtje njëkohësisht. Pasioni dhe dashuria për artin e skenës, por edhe për njëra-tjetrën, madje edhe mllefi e urrejtja për të ligën dhe shkaktarët e vuajtjeve, i bën ato personazhe të veçanta. Si të tilla, ato tipizohen nga veprimet dhe reagimet e tyre, por edhe nga diskursi me të cilin komunikojnë fillim dhe mbarim.

“Paladuk” është vepër ku dialogu, përveç që është tipi­zues, argumenton natyrën dhe marrëdhëniet e perso­nazheve ndërmjet vete, por edhe me të tjerët që nuk janë të pranishëm në skenë. Albana Muja përdor shkath­tësi në mënyrën se si e motivon, e ndërton, por edhe e zhvillon dialogun e personazheve në vepër. Dialogët në “Paladuk” janë sa eksplicitë, po aq përmbajtjesor, herë-herë edhe metaforikë. Këtu, shprehja paladuk, prej nga buron edhe titulli i veprës, është metafora për orga­nin gjenital femëror, prandaj A dhe Z një pjesë të mirë të dialogut të tyre (herë përafrues e herë konfliktues), e përqendrojnë pikërisht te tema e paladukut. Për këto dy gra paladuku është edhe motiv lumturie e kënaqësie, por edhe ndjenjë hidhërimi, vuajtjeje e dëshpërimi. Thënë shkurt, paladuku është bota e tyre, prej nga buron e keqja dhe e mira, prej nga shfaqet natyra njerëzore me anën e saj engjëllore dhe djallëzore.

Për aq kohë sa rrethanat e personazheve na e sugje­rojnë strehimoren dhe drama e tyre shkon duke u përshkallëzuar deri në vendimin e skajshëm të vetë­varjes, paladuku mund të interpretohet edhe si streha e botës së grave, asaj strehe, që përtej pasionit, dashurisë, vuajtjeve e gëzimit që sjell jeta, është kulmi, apo edhe dora e Zotit që, në çdo rast, mund të bëjë mrekulli.

Drama “Paladuk” e Albana Mujës shquhet edhe për gjetje të situatave skenike që mundësojnë lojë të akto­rëve, por edhe zhvillim e ndërthurje të skenave, që vazhdueshëm dhe pandërprerë e mbajnë të përqen­druar vëmendjen e lexuesit, përkatësisht shikuesit. Nga vlerësimi dhe bindja ime gjykoj se kjo vepër dramatike ka potencial të bollshëm për inskenim të suksesshëm skenik, në të tashmen dhe në të ardhmen. / Arian Krasniqi

Shënime për autoren

Albana Muja (1988) është nga Mitrovica. Ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës – Dega Dramaturgji. Është autore e dhjetëra dramave dhe skenarëve për filma të metrazheve të ndryshme. Ka bashkëpunuar në shumë punëtori dhe aktivitete teatrore. Drama Njohja i është inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Maturantët në Teatrin Dodona, Nori në Teatrin Muharrem Qena në Mitrovicë. Dramën për fëmijë Nori e ka botuar në vitin 2011, kurse dramën Komedi e kuqe në vitin 2015, të cilën pastaj e ka inskenuar në vitin 2018 në Teatrin Muharrem Qena. Dramën Tango e ka inskenuar në vitin 2019 në Teatrin Dodona. Me dramën Era ka fituar çmimin në konkursin për dramë origjinale shqipe Katarina Josipi në vitin 2020 shpallur nga Ministria e Kulturës e Kosovës, pastaj e ka inskenuar në Teatrin Adriana në vitin 2021. Dramën Çelësi magjik e ka inskenuar në Teatrin e Prizrenit, kurse ka qenë dramaturge në shfaqjen Mbretëresha pa kurorë. Gjithashtu, është autore e monodramës Grua gur, inskenuar në Bujanoc dhe dramaturge e shfaqjes Ajo. Ka fituar çmimin Bardi I nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës me dramën S’ka Zot për ty. Është skenariste e filmit të gjatë Okarina, i cili ka pasur sukses brenda dhe jashtë vendit, gjithashtu ka bërë skenarin e filmave të shkurtër Ai dhe Kthimi. Tri vjet ka punuar gazetare e kulturës në gazetën Express. Po ashtu, ka shkruar për kulturën në revistën Select. Ka qenë kryeredaktore në televizionin CBC. Ka qenë skenariste dhe konsulente në disa seriale televizive të shfaqura në televizionin publik RTK si dhe në televizione të tjera. Në karrierën akademike ka shërbyer asistente në Universitetin Isa Boletini në Mitrovicë në lëndën Dramatizim dhe shfaqje me kukulla. Aktualisht është ligjëruese në Universitetin Ukshin Hoti në Prizren në lëndën Dramatizim dhe shfaqje me kukulla si dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve në lëndën Dramaturgji.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Loriku GSM” SH.P.K. shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me…