Struga përmbys Shkëndijën në Tetovë, por finalja mbetet e hapur

09 prill 2025 | 19:21

Sot janë zhvilluar ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, ku gjithë vëmendja ishte e përqendruar në përballjen shqiptare mes Shkëndijës së Tetovës, lider aktual i kampionatit, dhe Struga Trim Lum, kampione në fuqi e vendit.

Dueli i zhvilluar në stadiumin e qytetit të Tetovës, për shkak të dënimit të Shkëndijës me pesë ndeshje pa tifozë, u luajt pa praninë e publikut, por kjo nuk pengoi që të zhvillohej një ndeshje me ritëm të lartë.

Shkëndija ishte skuadra që e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 36-të, kur Florent Ramadani realizoi një super gol direkt nga rivënia këndore, duke befasuar portierin Qoshevski. Edhe pse të dyja skuadrat kishin përpjekje për të gjetur rrjetën, pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të kuqezinjve.

Në pjesën e dytë, Struga reagoi fuqishëm. Një lëshim në mbrojtjen e vendasve në minutën e 53-të u shfrytëzua nga Ukpa, i cili me një finalizim të saktë barazoi rezultatin në 1-1.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt një barazimi, kampionët në fuqi goditën sërish. Në minutën e 82-të, pas një kundërsulmi të rrjedhshëm, Krivanjeva shërbeu për Ukpan, i cili këtë herë asistoi bukur për Radeskin – ish-lojtarin e Shkëndijës, që shënoi për përmbysjen 1-2.

Drama vazhdoi deri në fund, kur në minutën e fundit të shtesës Adonis Shala pati një rast të artë për të barazuar rezultatin, por goditja e tij u bllokua në momentin vendimtar nga mbrojtësi Radiq.

Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale të zhvilluar në Shkup, Vardari siguroi një fitore bindëse 3-0 ndaj AP Brera, duke hedhur një hap të madh drejt finales.

Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 23 prill, kur do të mësohet edhe dy finalistët që do të luftojnë për trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin vendor – Kupën e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar betejat heroike të…