STUBLLA E EPËRME – FSHATI I MARTIRIZUAR I SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

04 nëntor 2022 | 18:17

Berat Luzha

Stublla e Epërme është njëri nga fshatrat më të mëdhenj të Malësisë së Karadakut, pjesë e komunës së Vitisë. Qëndron si një ballkon mbi rrafshin e Moravës së Epërme e në rrëzë të majës së bukur të Stubllavaqes.

Është larg Letnicës 4 km, Vitisë 11 km, Gjilanit 21 km, Ferizajt 32 km. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1981, Stublla e Epërme kishte rreth 1700 banorë, sot llogaritet se jetojnë rreth 3000 banorë, të gjithë shqiptarë të besimit katolik.   

Për herë të parë emri i fshatit Stublla përmendet në defterin osman të vitit 1455. Ky emër gjendet edhe në një hartë topografike të Shkupit të vitit 1477, si dhe në një hartë të shek. XVII. Qysh në vitin 1584 Stublla kishte shkollë të lartë fetare.

Janë dy momente historike që lidhen me të kaluarën e Stubllës; martirizimi i banorëve të fshatit në shek. XIX dhe hapja e shkollës së parë shqipe. Në gjysmën e shek. XIX (1846 – 1848) në Stubëll, Binçë, Vernakollë dhe Terziaj u zhvillua një proces i dhunshëm i konvertimit të banorëve të krishterë në fenë islame. Pasi i rezistuan konvertimit, të 177 banorët e këtyre fshatrave u internuan në Anadoll. Kështu, për ta mbrojtur fenë e të parëve, pas mundimeve të shumta gjatë rrugëtimit të dhunshëm Shkup – Selanik – Turqi (nëpër det), pastaj edhe nga torturat, acari e stërlodhja, u martirizuan 51 të internuar. Edhe pasi kanë mbërri dhe janë vendosur në dy vende moçalike në Turqi, për mungesë të ushqimit, nga sëmundjet dhe vuajtjet e mëdha kanë vdekur edhe 50 të internuar tjerë. Këta të internuar e të martirizuar njihen në histori si Martirët e Karadakut. Pas dy viteve të qëndrimit e të vuajtjeve në internim, vetëm 76 kishin mbetur gjallë dhe janë kthyer në atdhe. Prej këtyre që e mbijetuan internimin, janë krijuar famullitë në Stubëll, në Binçë dhe në Kabash me Vernakollë me mijëra banorë.

Stublla njihet në histori për hapjen e shkollës së parë shqipe në Kosovë. Si shkollë fetare në gjuhën shqipe është hapur në vitin 1584 nga Kolegji i Shën Lukës, kurse si shkollë shqipe në vitin 1886, me veprimtari edukative arsimore dy vjet më vonë me mësues Mikel Tarabulluzin. Shkolla është zyrtarizuar në vitin 1905. Mësimin e mbante Dom Mikel Tarabulluzi në kishën ku shërbente, në kishën e Shën Gjergjit në Stubëll të Epërme. Si shkollë shqipe është hapur në vitin 1886, dy vjet më vonë ka filluar mësimi dhe është zyrtarizuar nga pushteti Austro-Hungarez në vitin 1915. Aty mësoheshin lëndët lexim, matematikë, histori, gjeografi etj. Në vitin 1906 shkolla shqipe kishte 42 nxënës; 25 djem e 17 vajza. Sot busti i Dom Mikelit është vendosur në oborrin e shkollës së Stubllës, kurse ish-shkolla shqipe tash është muze, ku ruhen, pos tjerash, edhe libra shumë të vjetra, siç është “Doktrina e krishterë” e vitit 1877, një libër filozofik i Henrik Kornelius Agripa, i vitit 1638, Abetarja e vitit 1886 e Bukureshtit, librat “Numeratore”, “Këndimet e çunave” etj. Kisha e Shën Gjergjit, ku është zhvilluar mësimi shqip, sot paraqet një monument kulturor e historik.

Themeluesi shkollës së parë shqipe, Mikel Tarabulluzi (1868 – 1933), i lindur në Prizeren, ishte mësues në Stubëll dhe famullitar në Stubëll, Pejë, Letnicë e Gjakovë. Mbiemri i tij lidhej me emrin e qytetit Tarabulluz (sot Tripoli) në Libi në bazë të një lidhjeje të mëhershme tregtare.

Që nga viti 1990, për çdo shtator, në kishën e vjetër të Stubllës, tash muze i shkollës së parë shqipe, mbahet manifestimi tradicional kishtar, shkencor, kulturor dhe letrar “Takimet e Dom Mikelit”. Këto takime paraqesin një ngjarje të rëndësishme kulturore për Stubllën, komunën e Vitisë dhe Kosovën.

Ishte Stublla e Epërme fshati ku u paraqit rasti i parë i koronavirusit, më 13 mars 2020 përmes një 77-vjeçari, i kthyer nga mërgimi. Me këtë rast, për shkaqe të sigurisë shëndetësore fshati ishte futur në karantinë disa ditë, kur ishte izoluar e bllokuar plotësisht, duke iu nënshtruar masave të ashpra ndaj pandemisë e duke u shkaktuar banorëve probleme për furnizim me ushqime e barna.

Padyshim, njëri nga fshatrat më të përparuara të komunës së Vitisë dhe të Kosovës është Stublla e Epërme, e cila tash ka pamjen e një qyteze. Stublla është nga fshatrat e rralla të cilat kanë qendër rinore e sportive, fushë tenisi, park të fshatit etj. Pos kompletimit të infrastrukturës, fshati dallohet edhe për grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe për ndërtimin e shtëpive për familjet e pastreha. Punët e mira dhe shumë projekte në fshat janë kryer me vetëkontribut, mjete këto kryesisht të siguruara nga mërgata stubllane. Numër i madh i stubllanëve punojnë e jetojnë në mërgim, të cilët janë të lidhur ngushtë me vendlindjen e tyre. Ata, në vitin 2003, kanë formuar shoqatën kulturore, shkencore e humanitare “Stublla”, e shtrirë në Itali, Zvicër, Gjermani e Austri. Në saje të kësaj shoqate Stublla ka krijuar Fondin e Zhvillimit dhe Fondin Emergjent. Projekti i radhës i Shoqatës është ndërtimi i një shtëpie rehabilituese për persona të moshuar. Pra, stubllanët njihen për humanizëm dhe janë vetëkontribues të pashembullt.

Stublla është një fshat me tradita kulturore, arsimore dhe të trashëgimisë kulturore, një fshat malor turistik, me natyrë dhe pamje të bukura, i paraqitur, para disa viteve, edhe në pullat postare të Postës së Kosovës. Për rrethanat tona, Stublla duket një fshat i veçantë dhe i jashtëzakonshëm, një fshat i përparuar ku mbizotërojnë cilësitë më të larta njerëzore, si humanizmi, bujaria, mikpritja etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos ka folur në lidhje…