Studentë nga Sanxhaku vizituan komunën e Drenasit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë me dije se ka pritur në takim 50 studentë nga Sanxhaku me të cilët ka diskutuar për historinë e përbashkët dhe për kontributin e drenicasve në këtë krahinë.
“Sot, me shumë emocion, prita në takim 50 studentë nga Sanxhaku, kësaj zone të banuar me shqiptarë, e cila nuk duhet të harrohet. Me krenari kam diskutuar për historinë tonë të përbashkët në veçanti për kontributin e drenicasve në shërbim të kësaj krahine. Në mes tjerash theksova se Kosova kurrë nuk e harron Sanxhakun, vuajtjen e vëllezërve tanë që padrejtësisht me kufi u ndan nga trungu nacional. Po ashtu, shpreha falënderim të thellë për vizitën, e cila zhvillohej pas vizitës në Shqipëri dhe Prizren, për të vazhduar te varri i Shaban Polluzhës dhe në Memorialin e Jasharajve në Prekazin legjendar”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, Lladrovci ka theksuar se studentët e Sanxhakut kanë folur për situatën në këtë krahinë si dhe për punën që ata bëjnë për ruajtjen e identitetit të tyre.
“Studentët folën për situatën në Sanxhak dhe për punën që po bëjnë për ruajtjen e identitetit, të drejtat e tyre si dhe synimin për bashkëpunim në mes të rinjve dhe miqësive të krijuara nga këto vizita. Isha i nderuar edhe me ftesën për vizitë në Sanxhak. Po ashtu, vizituam sheshin dhe shtatoret e heronjve dhe heroinës në sheshin ‘Fehmi Lladrovci’. Shpreha falënderim për vizitën, porosia ime ishte: Gjaku ujë nuk bëhet!”, ka shkruar Lladrovci.
/Epoka e re/