Studentë nga veriu i Mitrovicës vizitojnë Gjykatën Supreme
Studentë të komunitetit serbë nga veriu i Mitrovicës, të martën, kanë vizituar Gjykatën Supreme.
Ata janë pritur nga kryetari i gjykatës, Enver Peci dhe gjyqtarja e degës civile, Jelena Krivokapic.
Para studentëve, kryetari Peci foli për historikun e Gjykatës Supreme, reformimin e sistemit gjyqësor në Kosovë dhe për strukturën aktuale të gjykatave.
Kreu i Supremes, i njoftoi studentët me kompetencat e Gjykatës Supreme duke vënë në pah gjithashtu se gjykata që ai drejton, aktualisht është duke punuar në lëndë që janë pranuar para tre muajve.
“Ne do ta lëmë politikën ta bëjë punën e vet, e ne do të bëjmë punën tonë. Do të sigurojmë sundim të ligjit dhe drejtësi për të gjithë, pavarësisht statusit, nacionalitetit apo grupimeve tjera”, ka potencuar kryetari Peci.
Gjyqtarja Krivokapic, foli para studentëve për përvojën e saj të parë me gjykata dhe për përvojën aktuale në Gjykatë Supreme, ku lëndët kryhen menjëherë dhe nuk ka pritje.
Studentët shtruan pyetje të ndryshme me theks në përkthimin e aktgjykimeve në gjuhën serbe, për lëndët e DHPGJS, mënyrën e vendosjes në Gjykatë Supreme etj.
Kjo vizitë u mundësua nga Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC).
/Epoka e re/