Studentët e Edukimit protestojnë për mospërfshirje në konkursin e bursave
Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Edukimit ka mbajtur një marsh protestues për mospërfshirjen në konkurs të bursave dhe për vendimin e Senatit për afatin e nëntorit.
Ata kanë marshuar drejt MAShT-it dhe Rektoratit të UP-së për të kërkuar anulimin e dy vendimeve të fundit të cilat sipas tyre janë në dëm të studentëve të këtij fakulteti.
Disa nga studentët po e konsiderojnë fyerje mosdhënien e bursave mësuesve të ardhshëm.
Ervin Hoxha, student i Master në Fakultetin e Edukimit, ka thënë se po ju shkelen të drejtat e tyre si studentë.
“Neve na është shkelë rëndë e drejta e studentëve. Sikur bursat të ishin dhënë nga fakultetet përkatëse është në rregull, por ato jepen nga Ministria e Arsimit. Ne kemi nënshkruar peticion kundër këtij vendimi, por vetë ministri nuk na është përgjigjur. Këshilltari i tij ka thënë se i kemi pasur parasysh fakultetet tjera që s’kanë pasur bursa”, ka thënë ai, duke kërkuar që të anulohet vendimi i MAShT-it.
Ndërsa kryetarja e Këshillit Studentor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit, Qëndresa Ramabaja, ka thënë se pikërisht ata që do ta përfaqësojnë Kosovën nuk po motivohen për këtë gjë.
Studentët gjatë këtij marshi mbanin pankarta në duar si “Stop diskriminimit”, “Jo vendime selektive”, “Arsimi i fëmijëve tuaj varet nga ne”, etj.