Studentët e Juridikut lënë prapa top universitete në garën për të drejtën ndërkombëtare

18 prill 2019 | 21:14

Një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë shkëlqyer në një garë me 380 universitetet më të mira të botës.

Lista e top universiteteve botërore të cilat mbetën prapa UP-së në garën nga fusha e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit ndërkombëtar përfshin edhe Harvardin.

Gara e cila është mbajtur në Vjenë të Austrisë, është e organizuar në disa runde. Lajmin për këtë sukses e ka dhënë deputetja Vjosa Osmani, njëherësh profesoreshë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Njoftimi i plotë i  Osmanit:

Në garë me 380 universitetet më të mira në botë, këta studentë shkëlqyen duke e radhitur Kosovën dhe Universitetin e Prishtinës në top 15% të universiteteve garuese në Willem C. VIS, garë nga fusha e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit ndërkombëtar. Për ta kuptuar se sa e jashtëzakonshme dhe çfarë historie është bërë, këtu janë vetëm disa nga Universitetet me famë botërore që ekipi i studentëve tanë të jashtëzakonshëm i LA PRAPA: Yale University, Harvard University, Duke University, Columbia University, Stanford University, New York University, Cornell University, Georgetown University, Northwestern University, Oxford University, Queen Mary University of London, King’s College London, Queen’s University, London School of Economics, e mbi 300 të tjera. Pra, UP u rangua para tyre. Dhe kjo nuk është hera e parë sepse ekipi ynë arriti sukses të ngjashëm edhe në vitin 2017. A nuk është kjo e jashtëzakonshme e historike???

E gjithë Kosova, me të drejtë, mburren me të arriturat e të rinjve tanë në sport e në muzikë. Madje një Kosovë e tërë qohet në këmbë thjeshtë për kualifikim në gara sportive. Por asnjë reagim i vetëm për këtë performancë historike të studentëve tanë. Asnjë shprehje e mirënjohjes që na zbardhën fytyrën para tërë botës. Që i lanë pa fjalë me prezantimet e tyre profesionistët më të njohur në botë në fushën e drejtësisë. Madje u dashtë për një vit të tërë të kërkojmë fonde në mënyrë që të mundësohet pjesëmarrja e tyre në këtë garë pas një vit pune e përgatitjeje të pandalshme. Mos harroni, asnjë shtet nuk ka ecur përpara dhe nuk është zhvilluar vetëm nëpërmjet muzikës e sportit. POR, çdo rast i shteteve të suksesshme e të zhvilluara kanë një të përbashkët: investimin në arsim.

Prandaj, mbani në mend këta emra: Levik Rashiti, Vlera Rexha, Yll Sadiku, Gerta Ragipi, Zgjim Mikullovci, Donika Bunjaku. Suksesi i tyre është dëshmia më e mirë se kur ka meritokraci Kosova mund të ketë sukses. Sepse shkaku i punës së tyre suksesi i Universitetit të Prishtinës u paraqitë para tërë botës – para mijëra pjesëmarrësve nga e gjithë bota. Krenari e kënaqësi e jashtëzakonshme për mua e Donikë Qerimin që punuam me këta studentë të talentuar dhe me shumë të tjerë përgjatë këtyre 17 viteve që angazhohemi për këtë sukses e për këtë moment. Falënderim i pafund për GIZ, Qeverinë gjermane dhe UP-në që besuan në ne dhe mundësuan pjesëmarrjen e ekipit të Universitetit të Prishtinës në këtë ngjarje që me të drejtë nga BBC është quajtura “Olimpiada e Drejtësisë”.

Lista e plotë e garuesve në këtë link: https://vismoot.pace.edu/site/26th-vis-moot/programme?fbclid=IwAR2tFIPyhReyWNf-A-KAHZ8FvPtQnsc9MDuoYj7CMyLYxkJ8xWuGSyt4IFw

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar…