Studentët e Universitetit ‘Kadri Zeka’ bashkë me rektorin vizitojnë Shqipërinë
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, bashkë me studentë, nën udhëheqjen e kryetarit të Parlamentit Studentor Adrian Bajrami, kanë qëndruar në një vizitë në Shqipëri.
Ata kanë qëndruar në Presidencën e Shqipërisë, ku janë pritur në një takim nga president i Shqipërisë, Ilir Meta.
Presidenti Meta ka mirëpritur takimin me studentët dhe rektorin e UKZ-së, derisa ka thënë se takimet me të rinjtë shqiptarë nga Kosova janë përherë të ngrohta dhe emocionuese.
Ai është shprehur shumë i lumtur të bashkëbisedoj me studentët. “Ndihem shumë i lumtur të bashkëbisedojë me studentët ekselentë të Universitetit Publik ‘Kadri Zeka’ të Gjilanit, që mban emrin e poetit, prozatorit dhe veprimtarit të paepur për lirinë e pavarësinë e Kosovës, heroit Kadri Zeka”, ka thënë Meta.
Në këtë tak u tha se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona.
Paraprakisht studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” kanë vizituar edhe Parlamentin e Shqipërisë, ku janë njoftuar më afër rreth punës së këtij institucioni.
Kjo vizitë është realizuar në kuadër të veprimtarive që organizohen për nderë të festimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, dhe ditës së Flamurit Kombëtar.