Studentët i dhurojnë libra e foto të Hasan Prishtinës rektorit të UP-së
Fjalimi i plotë i studentëve të organizatave studentore para Rektoratit:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Siç edhe jeni të njoftuar së fundmi është duke u diskutuar propozimi për ndryshimin apo largimin e emrit të Hasan Prishtinës nga Unviersiteti i Prishtinës.
Në emër të organizatave studentore Unioni Demokratik Studentor, Unioni i Studentëve Proeuropian, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore, shprehim pakënaqësinë dhe kundërshtimin tonë ndaj këtij propozimi të pamatur dhe plotësisht tendencioz.
Universitetit të Prishtinës i bënë nder emri i atdhetarit e intelektualit Hasan Prishtina, ky emër është pjesë e identitetit të Universitetit të Prishtinës dhe historisë sonë. Problemet e pengesat që kinse ky emër i ka shkaktuar UP-së, janë plotësisht të papranueshme, jobindëse dhe tendencioze. Heqja e emrit të Hasan Prishtinës është veprim joserioz dhe fyes për historinë e popullit tonë dhe do të shkaktone probleme të reja për vetë UP-në.
Universiteti i Prishtinës fatkeqësisht ka probleme serioze në fusha të ndryshme andaj kërkojmë që të punohet nga të gjitha instancat e UP-së në eleminimin e këtyre problemeve e fenomeneve negative e të mos merremi me çështjen e emrit.
Ne do ta përcjellim me kujdes këtë çështje por edhe procesin e ndryshimeve statuare në përgjithësi, andaj kërkojmë që çështjet të trajtohen me kujdes dhe profesionalisht. Do të reagojmë dhe kundërshtojmë fuqishëm qoftë edhe përmes protestave e bojkotit të procesit mësimor, në rast të veprimeve që mundësojnë ndryshimin/largimin e emrit Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës.
Si dhuratë mbêshtetur nga Fondacioni “Hasan Prishtina” ne sot i kemi sjellë rektorit portretin e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina dhe disa libra që trajtojnë figurën e Hasan Prishtinës, në mënyrê që ta kuptojë më qartë se kush ishte Hasan Prishtina e sa nder i bënë emri i tij universitetit.
Ne mbesim me shpresë që do të trajtohet kjo çështje dhe do të ndërmerren hapa konkret për të ndaluar veprime të tilla fyese e denigruese për Universitetin e Prishtinës dhe emrin e Hasan Prishtinës.
Urojmë që mos t’i bëhet atenti i dytë Hasan Prishtinës!