Studentët i kërkojnë Senatit shtyrje të vitit të ri akademik
Viti i ri akademik 2020/2021 në Universitetin e Prishtinës mund të mos nisë më 1 tetor ashtu siç e parasheh Statuti i UP-së pasi që Parlamenti Studentor ka dërguar një kërkesë që fillimi i tij të shtyhet për dy javë.
Kërkesa është bërë për shkak se këtë vit mbajtja e provimeve në afatet e qershorit e shtatorit mund të marrë më shumë kohë sesa në vitet e kaluara pasi studentët duhet të ndahen në disa grupe për t’i respektuar masat e distancës sociale.
Sipas kryetarit të Parlamentit Studentor, Bledian Geci, kjo shtyrje duhet të bëhet në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik. Ai ka thënë se presin që Universiteti ta miratojë kërkesën e tyre.
Kurse rektorati i Universitetit të Prishtinës ka bërë të ditur për KOHËN se kërkesa për shtyrjen e fillimit të vitit të ri akademik do të trajtohet të premten nga Senati.
Përveç të tjerash, pritet të vendoset edhe për hapjen e afatit të provimeve të qershorit dhe për mënyrën e mbajtjes së tyre.