Studentët kërkojnë bursat e tyre!
Konkursi i shpallur nga Ministria e Arsimit për ndarje të bursave për studentët e Universiteteve publike për programet: Bachelor dhe Master për vitin akademik 2019-2020, u anulua më 8.11.2019, për të mos u rihapur më.
“Ministri i asaj kohe Shyqyri Bytyqi e kishte anuluar konkursin si rezultat i protestës të studentëve të Fakulteteve të Arteve, Edukimit dhe Shkencave Sportive për mospërfshirjen e tyre në këtë konkurs, duke e kaluar përgjegjësinë për shpalljen e konkursit të ri të bursës, ministres në ardhje. Por, përkundrejt kërkesave dhe peticionit të studentëve drejtuar MASHT-it, ku ky i fundit u nënshkrua nga 800 studentë, rishpallja e këtij konkursi ka hasur në vesh të shurdhër. Duke qenë se është pothuajse fundi i vitit shkollor dhe çdo studenti kjo bursë i nevojitet, e veçanërisht në këtë situatë, ata kërkojnë nga ministrja e Arsimit që të rihapë këtë konkurs ose në të kundërt ata janë zotuar që nuk do të ndalen me kaq, dhe se nëse nuk ndërmerret diçka, kanë paralajmëruar protesta”, thuhet në kërkesën e studentëve bursistë.