Studentët kërkojnë lirimin e aktivistëve të Vetëvendosjes
Lëvizja Studentore për Barazi – Studim Kritikë Veprim, ka kërkuar lirimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët janë të dënuar për terrorizëm.
“Nesër, 22 shkurt, të gjithë aktivistë, qytetarë, studentë, profesorë, të jemi para Bibliotekës Kombëtare, duke filluar nga ora 12:00. Të bashkohemi për të mbrojtur studentin nga padrejtësitë”, është thënë në një komunikatë për medie të kësaj lëvizje.
“Astrit Dehari, Egzon Haliti, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, dhe Petrit Ademi u arrestuan me 29 gusht 2016. Përpos që u mbajtën dhunshëm në paraburgim, e atyre u mohuan të drejtat themelore dhe liritë individuale, me 5 nëntor të vitit 2016, në burgun e Prizrenit vdiq dhunshëm aktivisti Astrit Dehari. Astritit i’u mohua edhe jeta. Ndërkaq gjykata më 17 nëntor 2017, dënon aktivistët tjerë me gjithsej 21 vjet burg, përkundër të gjitha provave, dëshmive, hulumtimeve që vazhdimisht vërtetonin pafajësinë e tyre”.
“Gjykata u bë shurdhe në mënyrë selektive, nuk dëgjonte ekspertizën e FBI, as ekspertizën vendore, që dëshmonte vetëm pafajësi. Gjykata nuk ishte spektatore, përkundrazi u bë regjisore. Regjisore e skenarit, në të cilin, aktivistët do të duhej të luanin rolin, qoftë edhe në pafundësi, derisa ta bënin siç duhet. Pra rolin në skenën e montuar, ku aktivistët janë aktorë pa vullnetin e tyre, ndërsa dora e pushtetit do të jetë ajo e publikut që duartroket nga magjepsja me skenarin e ndërtuar”, është thënë në komunikatën e Lëvizjes Studentore.