Studentët nënshkruajnë kontratat për bursat e ndara nga komuna e Drenasit
Në Sallën e Kulturës në Drenas, studentët përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2019/2020, kanë nënshkruar kontratat për marrjen e bursës të ndara nga Komuna e Drenasit. Me rastin e nënshkrimit të kontratave, i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, nënkryetari Nazmi Hasi si dhe anëtarë të komisionit të cilët kanë bërë vlerësimin e aplikantëve për bursë.
Numri i bursave për këtë vit akademik është 160.
Kryetari Lladrovci, para studentëve ka thënë se është shumë i lumtur që 160 studentë të Komunës së Drenasit po nënshkruajnë kontratat për bursa për vitin e ri akademik.
Ai ka thënë se nuk do të reshtë që përmes donatorëve, brenda mundësive të gjejnë mënyra për financimin edhe për 40 bursa për studentë sipas listës së publikuar, sipas radhës, pas numrit 160. “Ne nuk jemi komunë e madhe por kemi vullnet dhe përkushtim të madh për studentët tanë, të tashmen dhe të ardhmen tonë”, ka thënë Lladrovci.
Vlera e bursës komunale për një student është 500 euro dhe me këtë synohet ngritja e cilësisë në arsim. Komisioni në përbërje të anëtarëve profesional pas vlerësimit të aplikacioneve ka shpallur përfituesit dhe ka renditur ata në bazë të numrit të pikëve sipas kritereve të konkursit.
/Epoka e re/