Studentët nga 18 maji mund t’i tërheqin gjërat e tyre personale nga konviktet
Ministria e Shëndetësisë njofton të gjithë studentët banues të Qendrës së Studentëve në Prishtinë, se sot është mbajtur takim mes përfaqësuesve të Qendrës së Studentëve, MASHT-it, Ministrisë së Shëndetësisë dhe përfaqësuesit të Parlamentit Studentor.
Në këtë takim të gjithë përfaqësuesit institucional janë pajtuar që në ditët në vijim studentëve banues t’u mundësohet tërheqja e gjërave personale të tyre të mbetura në konvikte.
“Duke filluar nga data 18.05.2020 deri me datën 23.05.2020 u lejohet studentëve tërheqja e gjësendeve për banuesit e konvikteve 1, 2, 3, 4, 5 dhe 8, ndërsa konviktet 6 dhe 7 nuk janë të përfshira në këto data për arsye se për momentin janë me persona të karantinuar”, bëhet me dije në njoftimin e MSH-së.
Sipas këtij njoftimi, duke u bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së të gjithë studentët obligohen që të jenë të pajisur me masa mbrojtëse (maska dhe doreza). “Kurse studentët banues të cilët janë jashtë Kosovës , tërheqjen e gjërave personale mund ta bëjnë pas hapjes së kufijve”, është thënë në njoftimin e MSH-së.
Të gjitha informacionet e tjera studentët mund t’i marrin në linkun e mëposhtëm:
(M.Q /Epoka e re)