Studentët paralajmërojnë bojkotim të mësimit, shkak konkursi i MAShT-it për bursa
Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve, që udhëhiqet nga organizata studentore “Reforma”, ka protestuar sot kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) për konkursin e bursave, për studentët e Universitetit të Prishtinës.
Kryetari i këtij këshilli, Edison Bibaj, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që ta anulojë vendimin për bursa, përndryshe do të vazhdohet me bojkotimin e mësimit deri në rishqyrtimin e këtij vendimi.
“Sot para ministrisë së Arsimit po fillojmë një protestë për të vetmen arsye që është keqtrajtimi i studentëve në aspektin e bursave studentore. Bursa e ministrisë nuk është e përfshirë në të gjitha njësitë akademike”.
“Në jemi të dëshpëruar dhe për këtë arsye kemi vendosur që të fillojmë me këtë protestë. Të enjten kemi bërë këtë kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit që të kemi një sqarim se për çfarë arsye fakulteti i Arteve nuk është i përfshirë në radhët e fakulteteve ku merren bursa për studentë; mirëpo nuk kemi marrë asnjë arsyetim apo sqarim”, është shprehur Bibaj.
Ai ka thënë se kompromisi i vetëm i tyre është anulimi i konkursit nga ana e MAShT-it.
“Kërkesa jonë është që ky vendim të rishqyrtohet sepse nuk do të pranohet në asnjë mënyrë. I vetmi kompromis është që ky vendim të anulohet. Në asnjë mënyrë nuk pranojmë që me këtë vendim të ecet përpara”.
“Kjo është protestë që paralajmëron se nga nesër do të vazhdojmë edhe me bojkotimin e mësimit deri në rishqyrtimin e vendimit për bursa. Ne do t’i bllokojmë njësitë akademike dhe nuk do të mbajmë ligjërata qoftë edhe një vit. Ky është vendim i pakompromis i yni”, ka deklaruar Bibaj.