Studentët përfituan nga trajnimi për aftësim në fushën e mobilerisë dhe shtypshkronjave
Studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), po përfitojnë vazhdimisht nga partneriteti që ka krijuar Universiteti me bizneset dhe organizatat e ndryshme.
Në vazhdimësi të bashkëpunimit në mes të UShAF-it dhe Prishtina REA, u organizua edhe trajnimi treditor me studentë për aftësim profesional në sektorin e mobilerisë dhe shtypshkronjave.
Trajnimi u organizua në kuadër të projektit “Trajnimi Profesional i të Rinjve Punëkërkues në Sektorin e Mobilerisë dhe Shtypshkronjave”, i cili është përkrahur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe po implementohet nga Prishtina REA.
Ky trajnim, i cili kishte për trajnerë profesorët: Florit Hoxha dhe Bujar Jashari, të dy specialistë të fushave përkatëse, synon të ndërlidhë edhe më shumë shkathtësitë për punë të studentëve në këto dy profile që janë shumë të kërkuara në tregun e punës.
UShAF-i ka krijuar tashmë partneritet të rëndësishëm me Prishtina REA përmes aktiviteteve të shumta të përbashkëta, një nga të cilat është edhe mundësia që iu është krijuar gjashtë studentëve, të cilët pas përfundimit të trajnimit për punë, do të jenë përfitues të punës praktike me pagesë nëpër kompani private partnere dhe në projektet e Prishtina REA.
Ky partneritet pritet të thellohet edhe në fusha tjera të inovacionit e transferit të dijes dhe instalimit të praktikave të mira nga fusha e aftësimit profesional dhe punësueshmërisë së të rinjve.
/Epoka e re/