Studenti i mjekësisë që asnjëherë nuk e braktisi lojën e futbollit

20 korrik 2020 | 20:42

Studenti i mjekësisë, Urim Mavraj, krahas suksesit në studime, është duke vazhduar edhe karrierën në futboll. Ai është i përkushtuar që në të ardhmen të bëhet profesionist i mjekisë, pa lënë anash lojën e futbollit. Pavarësisht prej ofertave nga Istogu, Onixi dhe nga disa klube të Kosovës, Urimi ka vendosur të vazhdojë të jetë pjesë e Dardanisë, me synim të inkuadrimit në Ligën e Parë.

Urim Mavraj është një futbollist me perspektivë të madhe në futbollin e Kosovës. Përpos futbollist, ai është student i dalluar në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Tetovë. Loja e futbollit e “rrëmbeu” herët zemrën e djaloshit nga Saradrani i Istogut, i cili në moshën 14-vjeçare e filloi përkushtimin maksimal dhe bëri debutimin në Klubin KF Onix nga Banja. Edhe sot Urimi u është mirënjohës trajnerëve që kanë punuar për zhvillimin e tij të hershëm si futbollist.

“Karrierën time futbollistike e fillova në moshën 14-vjeçare në Shkollën e Futbollit KF Onix, gjenerata U15, me trajnerët Gani Metaj dhe Zek Miranaj. Bëja ushtrime individuale edhe me ish-lojtarin e njohur, tash trajnerin Driton Dreshaj. Këta trajnerë më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Falë këtyre, për një kohë të shkurtër arrita t’i tregoj vlerat në fushën e lojës”, ka thënë Urim Mavraj, i cili ka treguar edhe për zhvillimin si futbollist në skuadrën Onixit. “Në atë vit u zgjodha për grumbullimin e ligës rajonale si lojtar i dalluar për grupmoshat U15, më pas vazhdova me grupmoshat U17 të KF Onixit edhe për dy vjet. Ndoshta ishte një ndër sezonet më të mirë që kemi arritur me klub pasi, përveç në ligën rajonale, u shpallëm edhe kampionë në turneun e organizuar në Durrës. Ishte një ndër çastet më të mira dhe të lumtura për mua dhe për bashkëlojtarët. Edhe pse kishte ekipe të forta konkurruese, arritëm ta japim më të mirën. Duke pasur parasysh akademinë e fortë dhe të talentuar, u futëm përbrenda atij viti edhe si ekip senior në Ligën e Dytë dhe, po ashtu, brenda vitit u shpallëm kampionë dhe kaluam në Ligën e Parë”, ka treguar Urim Mavraj.


Pas sukseseve me skuadrën e Onixit, Urim Mavraj kërkoi një aventurë të re dhe zgjodhi që karrierën ta vazhdojë në skuadrën e Beharit në Ligën e Dytë. “Erdhi koha që të ndërroja ambient në moshën 17-vjeçare, duke kaluar për një vit te KF Behari në Ligën e Dytë, për gjetjen e hapësirës më të madhe për minuta lojë dhe duke arritur që të bëhem edhe një lojtar vendimtar i klubit i përgatitur dhe me përvojën që më ishte nevojitur. Falënderim dhe mirënjohje pa masë kam për trajnerin e njohur Miftar Rama që më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë”, ka shtuar Mavraj, i cili më pas ka vendosur t’i vazhdojë studimet në Tetovë, përkatësisht në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme. Por, pavarësisht karrierës në mjekësi, Urimi nuk e tradhtoi lojën e zemrës, futbollin.

21-vjeçari ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës e më pas vendosi që karrierën ta vazhdojë në skuadrën e Dardanisë. “Duke pasur parasysh perspektivën jo të mirë për të depërtuar jashtë vendit, erdhi koha ta vazhdoja një nga ëndrrat që e doja si profesion. Përveç futbollit, doja t’i vazhdoja studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tetovë. Fillimisht e kisha të vështirë ndërrimin e ambientit, por pas tre muajsh arrita të bëhem pjesë e juniorëve të Shkëndijës, me të cilët jam stërvitur rregullisht dhe në debutim në një ndeshje miqësore kam shënuar gol. Pastaj pata interesim nga klubet e Kosovës dhe oferta më e përshtatshme ishte nga FC Dardania, e cila më ka mundësuar që stërvitjet t’i mbaj në Tetovë, kurse lojërat e fundjavës t’i zhvilloj në Kosovë. S’dua ta anashkaloj, në këtë rast, korrektësinë nga trajneri Xhavit Nikqi dhe harmoninë që kemi përbrenda klubit”, ka deklaruar ai.

Urim Mavraj me skuadrën e Dardanisë synon të inkuadrohet në Ligën e Parë të Kosovës. Ai është pjesë edhe e Klubit të Futsallit Shkëndija, me trajner Tushi Dervishi. Mavraj ka folur edhe për jetën si student dhe futbollist. Ai është i përkushtuar t’i vazhdojë studimet me ritëm të njëjtë dhe të bëhet profesionist në fushën e mjekësisë dhe të kontribuojë për vendin. Po ashtu, ka premtuar se asnjëherë nuk do ta braktisë futbollin. “Edhe pse mund të duket e vështirë që të ndaj kohë për dy profesionet, pasi dihet se mjekësia e përgjithshme kërkon përkushtim të madh, prapëseprapë po arrij të ndaj një pjesë të kohës për stërvitje individuale me trajnerin Rahim Memeti, i cili është punëtor i madh. Tash si një 21-vjeçar, të ardhmen e shoh si një profesionist në lëmin e mjekësisë, duke realizuar një nga ëndrrat e mia që gjithmonë dëshiroja, por duke mos lënë anash edhe pasionin për sportin”, ka përfunduar ai.

Për fund, Urim Mavraj ka falënderuar familjen dhe shoqërinë për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë për të arritur deri këtu. Urimi është një model i mirë për të rinjtë që, krahas shkollimit, merret edhe me sport.

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, e ka mbështetur fushatën…