Studim tronditës parashikon sa njerëz do të vdesin nga ndryshimet klimatike në vitin 2099
Një studim i ri tronditës ka parashikuar se sa njerëz në Evropë do të vdesin nga ndryshimet klimatike deri në fund të shekullit.
Në total, 5.8 milionë evropianë pritet të humbasin jetën nga temperaturat e larta midis viteve 2015 dhe 2099, sipas shkencëtarëve të London School of Hygiene & Tropical Medicine.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se studimi i tyre nuk përfshin ndikimet e ngjarjeve katastrofike të motit, si zjarret dhe stuhitë tropikale, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike – duke e bërë kështu numrin real edhe më të lartë.
Ndërsa ekipi pranon se rritja e temperaturave do të ndalojë disa vdekje nga të ftohtit, në përgjithësi, rritja e vdekjeve nga nxehtësia do të tejkalojë reduktimin e vdekjeve nga i ftohti.
Sipas studiuesve, Barcelona do të ketë numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me temperaturën deri në fund të shekullit, e ndjekur nga Roma, Napoli dhe Madridi.
“Rezultatet tona theksojnë nevojën urgjente për të ndjekur agresivisht strategji për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe përshtatjen me temperaturat e larta,” tha autori kryesor, Dr. Pierre Masselot, transmeton GazetaExpress.
“Kjo është veçanërisht kritike në rajonin e Mesdheut, ku, nëse nuk bëhet asgjë, pasojat mund të jenë katastrofike. Duke ndjekur një rrugë më të qëndrueshme, mund të shmangim miliona vdekje deri në fund të shekullit.”
Disa njerëz mendojnë se rritja e temperaturave për shkak të ngrohjes globale do të thotë më pak vdekje nga i ftohti. Kjo ka krijuar idenë se ndryshimet klimatike janë “të dobishme” duke sjellë një “ulje neto” të vdekjeve të lidhura me temperaturën.
Por studimi i ri tregon se kjo teori – shpesh e cituar për të kundërshtuar politikat e zbutjes – nuk është e vërtetë, të paktën në Evropë.
“Rritja e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë e tejkalon vazhdimisht çdo ulje të vdekjeve nga i ftohti në të gjitha skenarët e konsideruar,” thonë ekspertët në punimin e tyre, të botuar në Nature Medicine.
Për studimin, Dr. Masselot dhe kolegët e tij analizuan të dhënat për temperaturën dhe vdekshmërinë për të parashikuar vdekjet e ardhshme në 854 qytete evropiane midis viteve 2015 dhe 2099.
Në një skenar me emetim të lartë të gazeve serrë (ku emetimet e CO2 dyfishohen deri në vitin 2100) dhe pa përshtatje ndaj nxehtësisë, ata zbuluan se do të ketë 5,825,746 vdekje nga nxehtësia në Evropë.
Megjithatë, 3,480,336 vdekje nga i ftohti do të shmangen, duke dhënë një “shifër neto” prej 2,345,410 vdekjesh në Evropë deri në vitin 2099.
Studiuesit theksojnë se rajonet më të prekshme nga nxehtësia do të jenë Mesdheu dhe Ballkani.
Barcelona do të ketë numrin më të lartë të vdekjeve nga temperaturat – 246,082. Më pas vijnë Roma (147,738), Napoli (147,248), Madridi (129,716), Milano (110,131) dhe Athina (87,523).
Në anën tjetër, shumica e qyteteve në Ishujt britanikë dhe vendet skandinave, si Londra, Kopenhaga dhe Stokholmi, do të kenë një “ulje neto” të vdekjeve – që do të thotë se më shumë njerëz do të “shpëtohen” nga i ftohti sesa do të vdesin nga nxehtësia.
Në Londër, për shembull, 75,864 njerëz do të vdesin nga nxehtësia, por 103,320 do të shpëtohen nga i ftohti – një ulje totale neto prej -27,455.
“Sidoqoftë, nëse nuk ndodh përshtatja ndaj nxehtësisë, rritja e vdekjeve nga nxehtësia tejkalon në mënyrë të vazhdueshme uljen e vdekjeve nga i ftohti në të gjithë Evropën,” përfundon studimi.
Në përgjithësi, studimi tregon se, edhe duke marrë parasysh vdekjet nga i ftohti, 2.3 milionë evropianë do të vdesin nga nxehtësia deri në vitin 2099.
Gjithashtu, studimi nuk llogarit ngjarje specifike të motit, si përmbytjet dhe zjarret, të cilat mund të ndryshojnë shifrat e parashikuara.
“Kërkimi ynë, i bazuar në një vlerësim gjithëpërfshirës të 854 qyteteve evropiane, ofron prova të qarta se vdekshmëria neto do të rritet edhe në skenarin më të butë të ndryshimeve klimatike,” përfundojnë autorët. /GazetaExpress/