Studimi nga Kina jep lajmin e hidhur për koronavirusin
Koronavirusi i ri mbetet më gjatë se tri javë në trupat e pacientëve të sëmurë rënd, raportuan të martën studiuesit kinezë.
Virusi mund të gjendet thellë në mushkëri dhe në jashtëqitje të pacientëve. Sipas ekipit studimor nga spitali i provinces Zheijang të Kinës, sa më të sëmurë të jenë pacientët, aq më gjatë do të qëndrojë virusi pandemik në organizëm.
Koronavirusi rrallëherë u gjet në urinën e pacientëve, e edhe më rrallë në gjak.
Raporti i tyre ofron mbështetje të një pjese tjetër të provave në lidhje me modelin e sëmundjes në pacientët e infektuar. Ai u botua në revistën BMJ. Për dallim nga shumë studime të publikuara kohët e fundit lidhur me virusin me origjinë nga Kina, hulumtimi është ri-shqyrtuar nga ekspertët e fushës.
Ekipi testoi 96 pacientë të trajtuar në spitalin e tyre për Covid-19 përgjatë periudhave janar-mars. Ata testuan mostra nga hunda dhe fyti, sistemi i frymëmarrjes në përgjithësi, në gjak, jashtëqitje dhe urinë. Realizuesit e studimit, raporton CNN, donin të shihnin se sa gjatë qëndronte virusi në organizmin njerëzor dhe a ka të ngjarë të përhapet në forma të ndryshme.
Gjetjet në këtë studim mbështesin idenë se virusi mund të përhapet edhe nga jashtëqitja.
“Kohëzgjatja mesatare e virusit në mostrat e frymëmarrjes ishte 18 ditë”, shkruajnë ata.
Një studim i hershëm kinez tregoi se njerëzit pa simptoma kishin koncentrim më të madh të virusit në hundë sesa njerëzit që shfaqnin simptoma të Covid-19.