Studimi: Nxënësit kosovarë përdorues më të mëdhenj të internetit sesa ata europianë
Mbi 20 për qind e fëmijëve kosovarë të moshës 11-16 vjeç konsumojnë produkte online me përmbajtje seksuale çdo javë, ndërsa rreth 8 për qind përditë. Rreth 22 për qind e të anketuarve kanë pranuar se kanë takuar fizikisht personin që e kanë njohur në internet, ndërkaq 2.1 për qind pranuan se ‘personi që takova pasi e kisha njohur në internet, më abuzoi seksualisht.
Rreth 92 për qind e nxënësve kosovarë të moshës 11-16 vjeç kohën më të madhe në internet e kalojnë duke parë videoklipenë Youtube apo duke dëgjuar muzikë; fëmijët kosovarë kanë më shumë smartphonë se fëmijët zviceranë; materiale me përmbajtje seksuale në internet konsumojmë dyfish më pak se bashkëmoshatarët e tyre serbë, ndërsa 21 për qind e fëmijëve kosovarë janë takuar fizikisht me njerëzit që janë njohur në internet, që është dyfish më e lartë se mesatarja e fëmijëve europianë.
Këto janë disa nga gjetjet e një studimi të sapobublikuar, i realizuar nga një grup studiuesish të komunikimeve, shkencave sociale dhe psikologjisë nga Kolegji AAB në bashkëpunim me ekspertë nga Universiteti i Peruxhas (Itali) dhe i financuar nga Ministria e Arsimit.
Studimi ka përfshirë 437 nxënës të moshës 11-16 vjeç nga 34 shkolla të Kosovës në qytete dhe në fshatra dhe ka përdorur pyetësorin e projektit shkencor europian “Kids Online”.
Studimi i ndan gjetjet në tri grupime: përdorimi apo eksperiencat e nxënësve online, rreziqet dhe kontrolli prindëror. Sipas rezultateve të këtij studimi, fëmijët kosovarë janë përdorues të mëdhenj të internetit: 97 për qind e fëmijëve e përdorin internetin 1-6 orë në ditë, ndërsa atë e përdorin kryesisht për argëtim, komunikim me miqtë dhe më pas për mësim. Koha që kalojnë fëmijët kosovarë online nuk dallon shumë nga koha që kalojnë online fëmijët e vendeve të BE-së, thuhet në studim. Interneti përdoret gjithashtu për njohje të reja. Rreth 19 për qind e kanë takuar fizikisht personin që e kanë njohur në internet, ndërsa mesatarja e këtyre takimeve të fëmijëve europianë është vetëm 9 për qind.
“Njëzet e dy për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve pranuan se personi që takuan ballë për ballë tha gjëra që i lënduan; 2.1 për qind pranuan se ‘personi që takova ballë për ballë, të cilin e kisha njohur në internet, më abuzoi seksualisht’, ndërsa rreth 2 për qind kanë thënë se miku nga interneti e ka lënduar fizikisht.
Mbi 20% e kësaj grup-moshe konsumojnë produkte online me përmbajtje seksuale çdo javë, si foto, vizatime ose video me imazhe seksuale. Nga këta, 7.8% thanë se i shihnin këto imazhe çdo ditë ose pothuajse çdo ditë dhe 13.7% i shihnin ato një ose dy herë në javë.
Bullizmi online është një shqetësim tjetër dhe i pranishëm te kjo grupmoshë. Rreth 25 për qind deklaruan se gjatë muajve të fundit dikush kishte vepruar në mënyrë të dëmshme ose fyese në internet, ndërsa rreth 6 për qind pranuan se grupi i ka përjashtuar nga aktivitetet dhe komunikimet.
Në studim gjithashtu theksohet se shumica e nxënësve dhe prindërve të anketuar kanë pranuar se fëmijët e njohin më mirë teknologjinë dhe se prindërit e kanë të pamundur t’i kontrollojnë fëmijët e tyre se çfarë produktesh mediatike konsumojnë ata në internet. Studimi vlerëson se ndërmjetësimi prindëror dhe edukimi mediatik deri më tani kanë vepruar ndaras dhe për këtë arsye ndërlidhja dhe ndërveprimi më i mirë midis prindërve si edukatorë mediatikë për fëmijët dhe edukimi mediatik në shkollë do të ishte më efektiv.
Studimi është realizuar duke u mbështetur në projektin shkencor të BE-së të realizuar tashmë që disa vjet në vendet europiane i njohur si “Kids Online” dhe i drejtuar nga Sonia Livingstone e London School of Economics. Në dallim prej disa vendeve të rajonit, Kosova asnjëherë nuk është përfshirë në këtë projekt europian dhe studimi i realizuar nga Kolegji AAB i mbështetur nga MASh është i vetmi studim i kësaj natyre i realizuar në Kosovë.
Studimi i plotë mund të lexohet në revistën Journal ofElementary Education, e indeksuar në Scopus. https://journals.um.si/index.php/education/article/view/2024