Studimi: Rrezet e diellit ndihmojnë në uljen e vdekshmërisë nga Covid
Zonat me diell kanë më pak vdekje nga Covid-19, sipas një studimi vëzhgues. Ekspozimi i rritur ndaj rrezeve të diellit, veçanërisht atyre ultravjollcë A (UVA), mund të veprojë si një ndërhyrje e thjeshtë në shëndetin publik duke ulur shkallën e vdekshmërisë, thonë ekspertët.
Studiuesit nga Universiteti i Edinburgh krahasuan të gjitha vdekjet e regjistruara nga Covid në SHBA-në kontinentale nga janari deri në prill të 2020 me nivelet UV për 2,474 qarqe amerikane për të njëjtën periudhë kohore.
Studimi zbuloi se njerëzit që jetonin me nivel të lartë të ekspozimit ndaj rrezeve UVA, kishin një rrezik më të ulët të vdekjes nga Covid, krahasuar me ata me nivele më të ulëta. Analiza u përsërit në Angli dhe Itali me të njëjtat rezultate.
Studiuesit morën parasysh faktorët që dihet se shoqërohen me rritje të ekspozimit ndaj virusit dhe rrezikut të vdekjes si mosha, përkatësia etnike, statusi social-ekonomik, dendësia e popullsisë, ndotja e ajrit, temperatura dhe nivelet e infeksionit në zonat lokale.
Ulja e vërejtur e rrezikut të vdekjes nga Covid-19 nuk mund të shpjegohet me nivele më të larta të vitaminës D, thanë ekspertët. Vetëm zonat, me nivele të pamjaftueshme të UVA për të prodhuar vitaminë D të konsiderueshme në trup, u përfshinë në studim.
Një shpjegim për numrin më të ulët të vdekjeve, që studiuesit po ndjekin, është se ekspozimi ndaj rrezeve të diellit bën që lëkura të çlirojë oksid nitrik. Kjo mund të zvogëlojë aftësinë e SARS Coronavirus2, shkaku i Covid-19, për të replikuar, siç është gjetur në disa studime laboratorike.
Hulumtimet e mëparshme nga i njëjti grup kanë treguar se ekspozimi i shtuar në rrezet e diellit lidhet me shëndetin e përmirësuar kardiovaskular, me presion të ulët të gjakut dhe më pak sulme në zemër. Meqenëse sëmundja e zemrës është një faktor i njohur rreziku në vdekjen nga Covid-19, kjo gjithashtu mund të shpjegojë gjetjet e fundit.
Ekipi thotë se për shkak të natyrës vëzhguese të studimit, nuk është e mundur të përcaktohet shkaku dhe pasoja. Sidoqoftë, mund të çojë në ndërhyrje që mund të testohen si trajtime të mundshme.