Studiuesi i shkencës politike, Fatmir Lekaj, boton libër për rrugëtimin politik të Kosovës
Nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, është dorëzuar sot në shtyp libri më i ri i politologut Fatmir Lekaj, me titull “Rrugëtimi politik i Kosovës: dilema, sfida, ngjarje dhe përplasje”, i cili pritet të dalë nga shtypi këtë të shtunë dhe nga java e ardhshme do të shpërndahet fillimisht nëpër libraritë e Kosovës, pastaj edhe në ato të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.
Botuesi Berat Dakaj në kapakun e librit ka shkruar: “Intelektuali dhe veprimtari Fatmir Lekaj vazhdon të japë kontribut shkencor për Kosovën, për rrugëtimin e saj politik ndër vite nëpër shtete të mëdha e të vogla, duke bërë bashkë dhe përballur në librin e fundit, dilemat, sfidat, ngjarjet dhe përplasjet që intelektualët e ndryshëm shqiptarë kanë pasur në rrethana, në vende dhe kohë të ndryshme me njëri-tjetrin për Kosovën, gjithashtu edhe me përfaqësues botërorë, veçanërisht me ato personalitete politike që ishin kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj, edhe më shumë të tjerë që e përkrahnin pavarësinë e Kosovës dhe idealet e revolucionarëve, institucionalistëve e të akademikëve shqiptarë. Në këtë libër, nëpërmjet veprimtarisë atdhetare dhe ideore për çlirim dhe shtetformim, Lekaj shtegton me intelektualët dhe veprimtarët më të mëdhenj shqiptarë. Paralelisht me ta ecin edhe disa intelektualë, diplomatë, politologë, studiues dhe akademikë botërorë që, përpos të tjerash, japin sugjerime për rrugëtimin politik të Kosovës”.
Shënime për autorin
Fatmir Lekaj – Muriqi (1971) lindi në Pejë. Që në moshën adoleshente filloi të solidarizohet me veprimtarinë e LPRK-së (LPK-së) në Kosovë. Me zhvillimin e ngjarjeve në vitet 1988-1989, si pjesëmarrës aktiv në demonstrata dhe protesta, i ekspozohet rrezikut për t’u arrestuar, veçanërisht për shkak të dekonspirimit në lidhje me kryerjen e një detyre të LPK-së (i ngarkuar me këtë detyrë nga i vëllai Nufriu), që kishte të bënte me pritjen dhe qëndrimin ilegal të një gazetares norvegjeze, si raportuese për gjendjen e rëndë në Kosovë.
Rrjedhimisht, për t’iu shmangur arrestimit, largohet jashtë vendit me qëllim të qëndrimit të përkohshëm, por me përkeqësimin e mëtutjeshëm të situatës politike në Kosovë dhe pamundësisë për t’u kthyer në mënyrë të ligjshme në Kosovë, mbetet jashtë vendit dhe emigron në Norvegji ku, përveçse e mbështet në vazhdimësi veprimtarinë e LPK-së në Norvegji, e mbështet edhe veprimtarinë e LDK-së në Norvegji pa qenë formalisht as anëtar i LPK-së, as anëtar i LDK-së. Në këtë vazhdë, gjatë periudhës 1998-2008, ka shërbyer këshilltar i përfaqësuesit politik të UÇK-së për Skandinavinë (1988-1999) dhe i përfaqësuesit diplomatik të Kosovës në Norvegji (1999-2000), gjithashtu i kryetarit të zyrës së Kosovës në Norvegji/Kosova Office in Norway (2001-2008). Në Norvegji edhe është shkolluar. Fillimisht ka studiuar për të drejtat e njeriut dhe për trajtimin e konflikteve, më vonë edhe për shkencë politike. Ka magjistruar për shkencë politike në Universitetin e Oslos dhe është përqendruar në temat që kanë të bëjnë me nacionalizmin, multikulturalizmin dhe integrimin. Merret me veprimtari të kërkuesit të pavarur dhe të këshillëdhënies për çështjet e integrimit etj. Është përkthyes i kualifikuar norvegjisht-shqip dhe sekretar i Rrjetit të Profesionistëve Shqiptarë në Norvegji. Njëherësh është autor dhe bashkautor librash dhe artikujsh në revista shkencore. Nuk ka qenë dhe nuk është formalisht anëtar i asnjë partie politike dhe vazhdon (edhe pas njohjes formale të pavarësisë së Kosovës nga shteti norvegjez më 28.03.2008), të kontribuojë në rastet kur pyetet për ndonjë mendim/këshillë (nga politikëbërësit e Kosovës) dhe për ruajtjen e traditës së bashkëpunimit të duhur në kuadër të mërgatës shqiptare në Norvegji.