Studiuesi Morina: Standardi duhet ta pranojë dialektin e Veriut
Për t’u përforcuar dialekti i Veriut, standardi duhet të jetë më i hapur dhe njëkohësisht t’i mirëpresë veçoritë dialektore.
Qëndrim Morina
Standardi ka lënë jashtë mbiemrat, si: “i kulluem” dhe “i lëmuem”. Lënia jashtë ose përjashtimi i këtyre mbiemrave ndodh sigurisht për shkak të togut -ue, por këta mbiemra pasurojnë leksikun. Mbiemrat e përmendur shprehin gjendje dhe jo mbiemra participorë me kuptim të shkuar, sepse është ndryshe kur themi “i kulluem” e “i lëmuem” dhe ndryshe “i kulluar’’ e “i lëmuar’’. Pra, ka nuanca të ndryshme kuptimore mes këtyre mbiemrave.
Emri “lumni” në standard bën “lumturi” dhe janë sinonime. Emri “lumni” nuk është i barasvlershëm me emrin “lumturi”.
Një ditë prej ditësh, seç po lexoja një novelë dhe më ra rasti ta lexoj edhe fjalinë “Drusoret në pyllin e Markut janë të gjata e të drejta”. Nënvizova fjalën ‘’drusore’’, që, sipas mendimit tim, është tërësisht krijim artificial dhe standardi e ka lënë jashtë fjalën “drunore”, që është adekuate për shembullin e lartpërmendur.
Shembuj:
dru–druni–druri–drunore dhe jo drusore;
grun-gruri-grunore dhe jo grurore;
blini-bliri-blinore dhe jo blirore etj.;
ranë-rërë-ranor etj.;
za-zë-zanor dhe jo zaror etj.
Duhet ta gjejmë rrugën e duhur që këto fjalë dhe shumë të tjera të futen në përdorim, duke pranuar po kështu tiparet dialektore me të cilat hyjnë ato në fjalorin tonë.